Aplikacione

Shefi i Twitter-it indian, në polici për hartën e Kashmir-it


Kundër shefit të Twitter-it në Indi është regjistruar një rast nga policia vendase pasi faqja e internetit dyshohet se ka shfaqur një hartë të pasaktë të vendit.

Agjencia e lajmeve, BBC, zbulon se harta, e cila tanimë është hequr, nuk përfshinte Jammu-në, Kashmir-in dhe Ladakh-in si pjesë e Indisë në seksionin “Tweep Life” të Twitter-it.

Në më pak se një muaj, kjo llogaritet të jetë çështja e dytë kundër zyrtarëve të Twitter-it.

Rasti vjen në mes të tensioneve në rritje midis qeverisë dhe Twitter-it rreth ligjeve të reja të diskutueshme të Indisë për IT-në.

BBC tregon se Kashmir-i është një çështje e diskutueshme pasi si India ashtu edhe Pakistani pretendojnë rajonin në mënyrë të plotë, por që kontrollojnë vetëm pjesë të tij.

Për sa i përket kompanisë, ajo ende nuk ka dhënë komente për rastin e fundit, i cili është ngritur në rrethin Bulandshahr të shtetit verior të Uttar Pradesh-it.

Shefi i Twitter në Indi, Manish Maheshwari, u akuzua për “nxitje të armiqësisë, urrejtjes ose keqdashjes midis klasave” pas një raportimi të bërë nga një anëtar i grupit nacionalist hindu Bajrang Dal.

Jo më larg se javën e kaluar, policia në Uttar Pradesh kishte thirrur Maheshwari-n për t’u marrë në pyetje në lidhje me një video të shpërndarë në Twitter. Një gjykatë i ka dhënë atij mbrojtje nga arrestimi, por çështja është ende në vazhdim.

Kjo video, e cila është akoma pjesë e hetimit, shfaq një 72-vjeçar mysliman duke u sulmuar me dhunë nga një grup burrash. Viktima ka pretenduar se ai u detyrua të këndonte “Jai Shri Ram” (një formë përshëndetjeje që është bërë një thirrje për nacionalistët hindu).

Mirëpo, policia ka mohuar çdo kënd fetar. Ata kanë thënë se sulmuesit ishin të pakënaqur për një hajmali për fatin e mirë që myslimani u kishte shitur atyre. Dhe për këtë sulm, u arrestuan gjashtë persona.

Gjithashtu policia ka akuzuar edhe disa gazetarë dhe politikanë, së bashku me Twitter-in dhe faqen e lajmeve Wire për shpërndarjen e videos me “qëllimin për një trazirë, promovimin e armiqësisë dhe komplotin kriminal”.

Një ekzekutiv i lartë në Twitter-in indian u largua ditën e hënë si zyrtar i përkohshëm i ankesave të kompanisë mes tensioneve në rritje midis firmës së mediave sociale dhe qeverisë.

BBC shkruan se Dharmendra Chatur ishte një nga tre pozicionet që firmave të mediave sociale u kërkohet të plotësojnë sipas ligjeve të reja të Indisë për IT-në.

Këto rregulla, të njohura si Rregullat e Teknologjisë së Informacionit (Udhëzime Ndërmjetësuese dhe Kodi i Etikës së Medias Digjitale), u njoftuan në muajin shkurt dhe hynë në fuqi në maj.

Në bazë të tyre, firmat e mediave sociale duhet të caktojnë tre drejtues me kohë të plotë, të gjithë banorë indianë, të cilët do të fuqizohen për të hequr përmbajtjen kur kjo kërkohet nga organet e zbatimit të ligjit dhe gjyqësorit.

Përpos kësaj, ata do të duhet të gjurmojnë ideatorin e një mesazhi të veçantë nëse kërkohet nga një gjykatë ose qeveria. Për t’u përputhur me këto rregulla, platformave si Twitter-i, Facebook-u dhe Whatsapp-i, iu dhanë tre muaj afat në shkurt.

Për këto kompani, përputhja me ligjet e reja është thelbësore për të ruajtur statusin e tyre si “ndërmjetës”. Statusi i mbron kompanitë nga ndjekja penale në rast se ndonjë përmbajtje e postuar nga përdoruesit e tyre shkel ligjet indiane.

Mirëpo, për kritikët, ligjet e reja kanë për qëllim frenimin e lirisë së shprehjes në Indi edhe pse qeveria e mohon këtë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore