Kosova

Shefi i Bordit në GEN-I, Maks Helbl: Po, kemi pasur kontratë me Berishajn – s’mund ta zbulojmë kontratën, është sekret biznesor


Maks Helbl

Shefi i ri i Bordit të kompanisë së energjisë elektrike GEN-I, Maks Helbl, ka pranuar në emisionin Tarça (Target) i transmetuar në televizionin shtetëror të Sllovenisë, se dega në Beograd e kësaj kompania e ka paguar Martin Berishajn si konsulent.

Atij i është kërkuar nga autorja e emisionit ta bëjë publike kontratën në mes kompanisë dhe Berishajt, por Helbl tha se “nuk e bën dot, meqë ato janë dokumentacione të brendshme dhe nuk i zbulojnë për publikun”.

Maks Helbl, që ndryshe është edhe bashkëshorti i sekretares së përgjithshme të qeverisë së kryeministrit aktual slloven, Robert Golob ka folur edhe për ndihmën që u ka dhënë Berishaj për shkak të lidhjeve dhe njohurive të tij për shtetet e Ballkanit Perëndimor ku GEN-I ka shitur e blerë rrymë, përfshirë Kosovën.

“Berishaj na ka dhënë këshilla të rëndësishme. Ky është një person që ka një nivel të caktuar të besimit në publik, ka njohuri edhe për situatën politike në rajon, bazuar në njohuritë e tij ai është në gjendje të sigurojë informacione të nevojshme për tregjet e Kosovës, Malit të Zi dhe Shqipërisë”, ka shtuar ndër të tjera Helbl

Helb ka mohuar se transaksionet e bëra nga GEN-I dega në Beograd për tek kompania e Martin Berishajt, të cilat kapin shumën rreth 475 mijë euro, pra më shumë sesa fitimi neto i GEN-I në Beograd (390 mijë euro) janë bërë mbi bazën e kontratave fiktive.

“Të gjitha transaksionet janë të bazuara mbi kontratat e shitjes së energjisë elektrike të realizuara nga Martin Berishaj. Ai dha informacionin e nevojshëm që është thelbësor për të bërë atë konkurrues në një treg të veçantë”.

Ndryshe, Televizioni shtetëror i Sllovenisë të enjten, ka transmetuar një emision ekskluziv lidhur me skandalin e madh financiar ku është përfshirë edhe ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj.

Emisioni më i shikuar investigativ Tarça (Target) ka realizuar një edicion special rreth skandalit financiar të kompanisë GEN-I ku fokus i emisionit, ishte pikërisht ambasadori Martin Berishaj.

Sipas emisionit investigativ rasti më i nxehtë me të cilin po merret policia sllovene për momentin janë marrëdhëniet ballkanike të GEN-I.

Çështja më e diskutuar e këtij skandali financiar, sipas emisionit në fjalë, ishin transaksionet e degës së GEN-I në Serbi në kompanitë e ambasadorit Martin Berishaj.

“Rasti më i nxehtë me të cilin po merret policia sllovene për momentin” – Televizioni shtetëror slloven emision për Martin Berishaj

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore