Lajme

“Rasti më i nxehtë me të cilin po merret policia sllovene për momentin” – Televizioni shtetëror slloven emision për Martin Berishaj


Martin Berishaj

Televizioni shtetëror i Sllovenisë të enjten, ka transmetuar një emision ekskluziv lidhur me skandalin e madh financiar ku është përfshirë edhe ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj.

Emisioni më i shikuar investigativ Tarça (Target) ka realizuar një edicion special rreth skandalit financiar të kompanisë GEN-I ku fokus i emisionit, ishte pikërisht ambasadori Martin Berishaj.

Sipas emisionit investigativ rasti më i nxehtë me të cilin po merret policia sllovene për momentin janë marrëdhëniet ballkanike të GEN-I.

Çështja më e diskutuar e këtij skandali financiar, sipas emisionit në fjalë, ishin transaksionet e degës së GEN-I në Serbi në kompanitë e ambasadorit Martin Berishaj.

Një ekip i emisionit Target ka qëndruar në Prishtinë me qëllim për të kontaktuar degën e kompanisë GEN-I në Kosovë.

“Aty ku duhej të ishte zyra e degës, ekipi gjeti një kompani për fotokopje”, thotë gazetarja e njohur sllovene, Erika Znidarshiç, duke shtuar se më pak se një kilometër më larg nga kjo ndërtesë gjendet zyra e kompanisë së Martin Berishaj, MB Consulting.

“Më 14 janar 2015, Berishaj themeloi kompaninë MB Consulting në Kosovë. Më pak se një muaj më vonë, më 11 shkurt 2015, paratë vijnë nga Beogradi për herë të parë. GEN-I transferon 66 mijë e 500 euro të majme në kompaninë e sapo hapur, në të cilën është i punësuar vetëm Berishaj. Dy ditë pas kësaj, Berishaj tërheq 50 mijë nga llogaria”.

“Brenda një muaji, një tjetër fluks nga Beogradi mbi shtatë mijë euro. Berishaj tërheq pak më pak se tre mijë të nesërmen. Në prill 2015, përsëri një transferë më e madhe: 22 mijë. Tërheqje 18 mijë në pak ditë. Dhe kështu me radhë. Transferim – tërheqje, transferim – tërheqje. Një shembull tjetër: transferimi në shkurt 2016 arriti në 92 mijë euro”, vazhdon shpalosjen e të dhënave emisioni në fjalë.

Nga lista e transaksioneve të cilën e ka analizuar emisioni në fjalë del se GEN-I në Beograd vetëm kompanisë MB Consulting i ka transferuar gjithsej 1.5 milionë euro.

“Sipas analizës sonë nga llogaria e kompanisë së Berishajt janë tërhequr rreth 1.2 milionë euro cash”.

Emisioni në fjalë ka analizuar gjithashtu edhe pasqyrat e transaksioneve të kompanisë së Martin Berishajt në Mal të Zi.

“Mes viteve 2019 dhe 2020 – kur remitancat nga Beogradi në kompaninë kosovare u ulën – sipas tabelave të publikuara në media, paratë kanë rrjedhur në një masë më të madhe në kompaninë malazeze të Berishës me të njëjtin emër, MB Consulting . Transfertat bëheshin çdo muaj, për gati dy vjet, dhe më shumë se 50 mijë euro në muaj. Sipas dokumenteve, në vitin 2019 dhe 2020 janë arkëtuar gjithsej 566 mijë euro transferta nga dega serbe e GEN-I”.

Ndër të tjera emisioni ka zbuluar se paratë e transferuara – rreth 8 mijë e 500 euro – tek kompania MB Consulting nga GEN-I dega në Beograd, janë shpërndarë tek një kompani tjetër në pronësi të ambasadorit Berishaj, Myloja, ku përveç Berishaj, bashkëpronar ishin edhe sllovenët Anton Cerne dhe Janez Bukovink, të dy drejtues të vjetër të Lotarisë Sportive Sllovene.

Bukovink në një përgjigje të dhënë për emisionin Tarça ka thënë se nuk ka invetuar para në kompaninë në Kosovë.

“Vite më parë me iniciativën e Berishës e hapëm për çdo rast, në pleqëri, do të bënim diçka me këtë kompani”.

Kryeredaktori i Planet TV, Mirko Mayer, ka njoftuar përmes llogarisë së tij në Twitter se Gjykata në Slloveni ka vendosur në shkallën e dytë se lajmet e këtij mediumi për përfshirjen e Martin Berishajt në një skandal financiar dhe pagesat e majme për të nga GEN-I në Beograd, nuk janë shpifje.

Mayer në njoftimin e tij i është drejtuar edhe Albin Kurtit, i cili kishte thënë ditë më parë se shpreson që të vendoset drejtësia në këtë rast.

“Kam dëgjuar se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë një deklaratë dhe ka shprehur dëshirën që drejtësia do të thotë fjalën e saj në rastin e Berishajt kundër Planet TV. E njoftoj se kjo dëshirë i është plotësuar dhe drejtësia tashmë ka vendosur. Rasti i hapur nga Berishaj është refuzuar nga gjykatë në shkallën e dytë”, ka shkruar Mayer.

Albanian Post kishte raportuar ekskluzivisht edhe para një kohe kur Gjykata e Qarkut në Lubjanë pati vendosur që ta hedhë poshtë akuzën e Berishajt për Planet TV pa efekt juridik.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore