Lajme

SHBA-të u përpoqën të pengonin Ukrainën që të vriste shefin rus të Shtabit të Përgjithshëm


Shtetet e Bashkuara u përpoqën të pengonin Ukrainën që të vriste shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Federatës Ruse, Valery Gerasimov gjatë vizitës së tij në zonën e luftës në Ukrainë.

Kështu thuhet në hetimin e gazetës amerikane “The New York Times” për luftën në Ukrainë.

Zyrtarët amerikanë mësuan se gjenerali rus po planifikonte një udhëtim në vijën e frontit, por e fshehën këtë informacion nga ukrainasit, nga frika se një tentativë për vrasjen e tij mund të çonte në një luftë midis Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë, shkruan botimi amerikan.

Sidoqoftë, pala ukrainase arriti të informohet për udhëtimin. Pas debatit të brendshëm, Washington-i ndërmori hapin e jashtëzakonshëm duke i kërkuar Ukrainës të ndalonte sulmin.

“Ne u thamë atyre që të mos e bëjnë këtë”, tha një zyrtar i lartë amerikan. “Ne thamë: Hej, kjo është e tepërt. Mesazhi erdhi shumë vonë. Ushtria ukrainase informoi amerikanët se ata tashmë kishin nisur një sulm ndaj pozicionit të gjeneralit. Dhjetra rusë u vranë në sulm”.

Megjithatë, gjenerali Gerasimov nuk ishte në mesin e viktimave.

Plagoset shefi rus i Shtabit të Përgjithshëm pranë Izyum-it

Pas kësaj, udhëheqësit ushtarakë rusë reduktuan vizitat e tyre në front.

Më 28 prill, gazetarët ukrainas raportuan nga burimet e tyre se Gerasimov kishte mbërritur në Izyum për të komanduar personalisht forcat pushtuese të Federatës Ruse.

Disa figura dhe blogerë ukrainas, duke përfshirë ish-ministrin e Punëve të Brendshme Arsen Avakov, pretenduan se Forcat e Armatosura të Ukrainës goditën selinë në terren të komandës ushtarake ruse pranë Izyum-it ndërsa Gerasimov ishte atje. Dyshohej se shefi i Shtabit të Përgjithshëm rus u plagos rëndë por pa gjetur konfirmim zyrtar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore