Lajme

SHBA: Shfajësohen dy burrat e dënuar për vrasjen e Malcolm X


Qendra Përkujtimore dhe Edukative e Malcolm X & Dr. Betty Shabazz.

“Dy burra të dënuar për vrasjen e një aktivisti afro-amerikan dhe avokatit të të drejtave civile, Malcolm X, në vitin 1965 do të shfajësohen”.

Kështu deklaroi të mërkurën e 17 nëntorit zyra e prokurorit të qarkut në Manhattan, duke thënë se do të lëvizë për të “liruar dënimet e gabuara”.

Malcolm X u bë i njohur si zëdhënësi kombëtar i Kombit të Islamit – një grup mysliman afrikano-amerikan që përkrahte separatizmin e zi.

Ai kaloi më shumë se një dekadë me grupin përpara se të zhgënjehej, duke u shkëputur publikisht në vitin 1964 dhe duke moderuar disa nga pikëpamjet e tij të mëparshme mbi ndarjen racore.

Wilfred X, Malcolm X dhe Filbert X, nga e majta në të djathtë, shfaqen në tetor 1963 në Auditoriumin IMA në Flint, Mich, ndërsa përgatiteshin për një paraqitje nga Elijah Muhammad. Ngjarja u anulua kur detektivët refuzuan të linin armët e tyre jashtë.

Ai u qëllua për vdekje në sallën Audubon Ballroom të New York-ut, ndërsa po përgatitej për të mbajtur një fjalim. Tre anëtarë të Kombit të Islamit u dënuan për të shtënat.

Në vitin 1966, tre të pandehurit u shpallën fajtorë dhe u dënuan me burgim të përjetshëm.

Ende qëndron dënimi i personit të tretë, i cili kishte pranuar vrasjen në momentin e gjykimit.

Lëvizja e prokurorit të qarkut u raportua fillimisht nga gazeta amerikane “New York Times”.

Në një intervistë me Times, Prokurori i Qarkut të Manhattan, Cyrus Vance Jr., kërkoi falje në emër të zbatimit të ligjit.

Ai tha se i kishte lënë në baltë familjet e dy burrave – Muhammad Aziz dhe Khalil Islam.

Malcolm X, udhëheqësi musliman afrikano-amerikan, në aeroportin ndërkombëtar JFK në New York më 9 korrik 1964, përpara se të nisej për në Egjipt, për konferencën e Kombeve Afrikane.

Të dy burrat kaluan dekada në burg. Aziz, 83 vjeç, u lirua në vitin 1985. Islam-i u lirua në vitin 1987 dhe vdiq në vitin 2009 në moshën 74-vjeçare.

“Kjo tregon të vërtetën se zbatimi i ligjit gjatë historisë shpesh ka dështuar të përmbushë përgjegjësitë e tij”, tha Vance. “Këta njerëz nuk morën drejtësinë që meritonin”.

Një hetim gati dyvjeçar, i kryer së bashku nga Manhattan D.A. dhe avokatët e dy burrave, zbuluan se prokurorët dhe agjencitë e zbatimit të ligjit mbajtën prova kryesore që, po të ishin dorëzuar, ka të ngjarë të kishin çuar në lirimin e dyshes, sipas “Times”.

“Kjo nuk ishte thjesht një anashkalim”, tha Deborah Francois, avokate në zyrën ligjore Shanies. “Ky ishte një produkt i sjelljes së keqe zyrtare dhe të rëndë”.

Disa historianë dhe studiues kanë pohuar se njerëzit e gabuar janë dënuar. Zyra e Vance tha, vitin e kaluar, se do të rishikonte dënimet në këtë rast.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore