Lajme

SHBA/ Nëna ruse vrau djalin 8-vjeçar, nga frika e luftës në Ukrainë


Një nënë ruse në Wisconsin, SHBA, ka ekzekutuar djalin e saj 8-vjeçar dhe kërcënoi se do të vriste pjesën tjetër të familjes së saj – “e shtyrë” nga paranoja dhe terrori mbi luftën e vazhdueshme të atdheut të saj kundër Ukrainës, thanë autoritetet.

Natalia Aleksandrovna Hitchcock, 41 vjeçe, mbyti djalin e saj Oliveri më 30 mars, disa ditë pasi u përpoq të mbyste edhe vëllain e tij 11-vjeçar në banjë.

Djali i madh kishte gjetur trupin e pajetë të vëllait të tij në dyshemenë e dhomës së tij të gjumit, ndërsa “nëna e tij ishte në shtrat me një thikë të madhe”, sipas akuzës për “vrasje të shkallës së parë” dhe për “vrasje e mbetur në tentativë”.

Britmat e djalit të mbijetuar zgjuan babanë e tyre nga gjumi, i cili u përpoq të shpëtonte Oliverin. Ky i fundit u shpall i vdekur dy ditë më vonë, shkruhej në dokumentet ligjore.

Ndërkohë që babai po i bënte frymëmarrje artificiale të birit të shtrirë në shtrat, gruaja e tij – e cila nuk kishte histori të problemeve të shëndetit mendor – “po ecte nëpër apartament me thikë, e trullosur, duke thënë se do t’i vriste të gjithë në shtëpi”, shkruhej në akuzë.

Nëna gjithashtu u përpoq të kalonte në overdozë me ilaçet kundër dhimbjeve dhe goditi veten me thikë në gjoks në një përpjekje për të “çarë zemrën”, u tha më vonë ajo, policëve.

“Kur u pyet nëse Hitchcock kishte ndonjë shqetësim për shëndetin mendor, i shoqi u përgjigj se “tani, ajo ka”– dhe detajoi paranojën e saj mbi luftën e vazhdueshme të Kremlinit kundër Ukrainës.

Burri u tha policëve se ai “ishte i shqetësuar për gjendjen mendore të Hitchcock-ut teksa ajo shikonte në TV ngjarjet mes Rusisë dhe Ukrainës”.

Prindërit e saj ishin ende në Rusi dhe ajo ishte e zemëruar që nuk mund të rezervonte fluturime për të shkuar në shtëpi për t’i parë ata, thuhej në akuzë.

Në ditët para se të vriste djalin e saj, Hitchcock i kërkoi të shoqit të qëndronte në shtëpi dhe “të blinte pajisje për mbijetesë, si një sobë kampingu, karburant, thika dhe armë”, shkruhej në dokument.

I shoqi “nuk bleu thika dhe armë”, por mori ushqime dhe furnizime të tjera për ta bërë gruan e tij “të ndihej e sigurt”.

Ai tha se e ndjeu se lufta midis Rusisë dhe Ukrainës e frikësoi  Hitchcock-un më shumë se kurrë dhe se ajo filloi të pinte vodka.

Ajo ishte e tmerruar se “disa njerëz do të vinin nga një qytet më i madh për t’i sulmuar”, apo “t’i shisnin në dark web”, tha i shoqi.

Hitchcock më vonë pranoi probleme të ngjashme kur u intervistua nga policët, duke u thënë atyre se ajo nuk kishte mundur të flinte dhe kishte frikë se “qeveria ruse do t’i merrte fëmijët e saj dhe do t’i abuzonte”.

“Ajo tha gjithashtu se njerëzit e kishin parë çuditshëm dhe mendonin se ishte një spiune rus, gjë që e bëri të ndjente se punonjësit socialë do t’i merrnin fëmijët e saj nga ajo”, thuhej në akuzë.

Ajo konfirmoi vrasjen e djalit të saj “sepse nuk donte ta shihte atë të abuzohej”.

Hitchock ndodhej në burgun e qarkut Sheboygan kur u vizitua nga oficerët të cilët i thënë se djali i saj kishte vdekur dy ditë pas sulmit.

“Epo, mendoj se e arrita atë që kisha vendosur të bëja atëherë”, u përgjigj ajo me një ton të qetë, përpara se të fillonte të qante me zë të ulët.

Hitchcock përsëriti deklaratën se arsyeja e vrasjes ishte sepse Oliveri “do të ishte më mirë të vdiste” sesa të abuzohej për luftën ruse.

Hitchcock u shfaq në Gjykatën e Qarkut Sheboygan të martën, duke parë prapa dhe duke folur me bashkëshortin e saj “dukshëm emocional”, shkruajnë mediat lokale.

“Me vjen shume keq. Nuk e di se çfarë ndodhi”, i tha Hitchcock, bahskëshortit të saj.

Ajo po mbahet në parapurgim deri në seancën e ardhshme gjyqësore të planifikuar për të enjten.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore