Kosova

Shaban Gogaj në rigjykim thotë se vrasja e Agonis Tetajt “ndodhi padashje”


Foto nga rasti i vrasjes së Agonis Tetajt.

I akuzuari Shaban Gogaj për vrasjen e rëndë të Agonis Tetajt, nuk e ka pranuar fajësinë.

Ai është arsyetuar duke thënë se e gjithë ngjarja “ka ndodhur pahiri”.

Sipas avokatit mbrojtës të tij, Besnik Berisha, po të ishte aktakuza në vrasje nga pakujdesia Shaban Gogaj, do ta pranonte fajësinë.

“Më vjen keq gjithçka çka ka ndodhur ka ndodhur pa vullnetin tim dhe ka ndodh gjithçka padashje, e mbështes avokatin”.

Si Berisha edhe Gogaj, e ka konsideruar të kundërligjshme aktakuzën për vrasje të rëndë derisa e kanë konsideruar të çuditshëm vendimin e Apelit që ka kthyer lëndën në rigjykim.

“Rihapja e gjykimit është bërë me qëllim të sigurimit të provave të reja dhe meqenëse ky veprim ka rezultuar i pasuksesshëm, aktakuza e vetme e ligjshme që duhet të procedohet në këtë gjykim është aktakuza e ndryshuar në procesverbal, në datën 16.03.2021”, tha avokati Berisha, raporton ‘Betimi për Drejtësi’.

Njëra ndër seancat ndaj Shaban Gogaj.

Rasti i vrasjes së Agonis Tetajt

Më 28 mars, departamenti për Krime të Rënda i Gjykatës së Apelit, e ka kthyer në rigjykim rastin e Shaban Gogajt i cili nga Gjykata Themelore e Pejës ishte dënuar me vetëm 7 vjet e gjashtë muaj burgim për vrasjen e Agonis Tetajt.

Një vendim i tillë ka ardhur pas kërkesës së Prokurorisë Themelore në Gjilan.

“Anulohet aktgjykimi ndaj të akuzuarve Sh.G. dhe I.C., ndërsa çështja kthehet në rigjykim dhe rivendosje. Me aktvendimin e Gjykatës së Apelit të Departamentit për Krime të Rënda, është aprovuar ankesa e Prokurorisë Themelore në Gjilan-Departamenti për Krime të Rënda, ashtu që aktgjykimi i gjykatës së shkallës së parë është anuluar dhe çështja është i kthyer të njëjtës gjykatë në rigjykim dhe rivendosje”, thuhej në njoftimin e Apelit.

Apeli në këtë rast konsideron se Themelorja nuk i vlerësuar në masë të duhur të gjitha provat të cilat e karakterizojnë çështjen penale.

Më 14 tetor, Shaban Gogaj ishte dënuar me 7 vite e 6 muaj burgim për vrasjen nga pakujdesia të Agonis Tetaj, në shtator të vitit 2018 në Deçan.

Ky vendim ishte marrë nga Gjykata Themelore në Pejë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore