Sport

Sevilla konfirmohet skuadra për t’u mundur në La Liga, pas Real Madrid-it


Skuadra e Sevilla-s ka arritur të fitojë me shifrat 2-1 përballë kampionëve në fuqi të La Liga-s, Atletico Madrid-it.

Në ndeshjen e javës 18, të luajtur në “Ramon Sanchez Pizjuan”, vendasit fituan falë golit të shënuar dy minuta para përfundimit të kohës së rregullt të takimit.

Për vendasit kjo ishte fitorja e dytë radhazi në La Liga. Për miqtë humbja e dytë radhazi.

Goli i parë i takimit u shënua në minutën e shtatë nga mesfushori, Ivan Rakitic-i. Miqtë barazuan përkohësisht në minutën e 33. Goli i Felipe-s, i dërgoi skuadrat në dhomat e zhveshjes me rezultat të balancuar.

Në pjesën e dytë, ashtu si dhe në të parën, Atletico ishte më kërkuese në fushë, por pa mundur të konkretizojë aksionet. Në minutën e 88 do të vinte goli i fitores së vendasve.

Argjentinasi, Lucas Ocampos-i, e dërgon topin e dhuruar nga Jules Kounde, pas krahëve të portierit mik, Jan Oblak-ut.

Sevilla merr tri pikët që e mbajnë në vendin e dytë, por i shkurtojnë diferencën me Real Madrid-in e vendit të parë, me vetëm pesë pikë. 42 pikë ka Real-i, 37 Sevilla. Atletico renditet në vendin e pestë me 29 pikë.

Kujtojmë se të dy skuadrat kanë nga një ndeshje më pak. Aktualisht ato kanë luajtur 17 javë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore