Sport

Seria A/ Ndalet Inter-i, Juventus-i rikthehet te fitorja


Kanë përfunduar gjashtë ndeshje të javës së 32 në Serinë A italiane. Inter-i ka ngecur përballë Spezia-s, ndërsa Juventus-i ka mposhtur Parma-n.

Inter-i kryesues i Serisë A ka barazuar me Spezia-n, në shtëpinë e këtyre të fundit, me rezultatin 1-1. Diego Farias-i ka realizuar në minutën e 12 për vendasit. Golit të të cilit iu përgjigj ai i Ivan Perisic-it në të 39′.

Juventus-i mposhti me rezultatin 3-1 Parma-n në “Allianz Stadium”. Fillimisht shënuan miqtë me anë të Gaston Brugman-it në të 25′. Juventus-i do të përmbyste rezultatin me tre gola që do të vinin nga mbrojtja.

Alex Sandro barazoi rezultatin në të 43′, pas asistit të Matthijs de Ligt-it. Në pjesën e dytë, në të 47′ përsëri Alex Sandro shënoi për 2-1 dhe kësaj radhe u asistua nga Juan Cuadrado. Kolumbiani asistoi edhe te goli i tretë, të cilin e shënoi De Ligt-i.

Genoa barazoi me rezultatin 2-2 me Benevento-n. Nicolas Viola shënoi për miqtë në të 5′. Goran Pandev-i barazoi në të 11′.

Katër minuta më vonë, në të 15′ Benevento kalon përsëri në epërsi, falë golit të Gianluca Lapadula-s. Por, përsëri do të ishte Pandev-i që do të shënonte për vendasit, duke shënuar golin që do të vuloste shifrat përfundimtare në 2-2, që në të 21′.

Crotone humbi në shtëpi përballë Sampdoria-s. Goli i Fabio Quagliarella-s në të 53′ i dha tri pikët skuadrës së Claudio Ranieri-t.

Bologna ka barazuar me Torino-n, në shifrat 1-1. Musa Barrow shënoi në të 25′, ndërsa në të 58′ Rolando Mandragora barazoi për miqtë.

Udinese humbi përballë Cagliari-t, me rezultatin 0-1. Golin e vetëm të takimit e shënoi Joao Pedro, në të 55′.

Ditën e enjte do të luhen dy sfidat e mbetura të javës së 32 në Serinë A.  Roma do të presë Atalanta-n, ndërsa Napoli do të presë Lazio-n.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore