Kosova

Selmanaj: Të konfirmohet nëse ka pasur takime mes Nagip Krasniqit dhe Martin Berishaj


Deputeti nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Driton Selmanaj

Deputeti nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Driton Selmanaj, në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit ka kërkuar që të ndodh shkarkimi i menjëhershëm i bordit të KEK-ut.

Po ashtu, hetimet të nisin edhe në kontratat që kanë ndodhur gjatë Qeverisë Kurti.

“Duhet hetuar të gjitha kontratat e negociueshme që kanë ndodhur gjatë menaxhimit të KEK-ut nga kjo Qeveri”.

Selmanaj, tutje ka kujtuar edhe deklaratën e drejtorit të Korporatës së Energjisë së Kosovës (KEK), Nagip Krasniqi kur është pyetur për takimet që ka pasur me ambasadorin e Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj.

“Do ta citoj se çfarë ka thënë në Komision hetimor, “zotërin Martin Berishaj kurrë nuk e kam takuar” dhe menjëherë pas 5 sekonda, “përveç një herë rasisht para dy tri vjete dhe aq më pak në Zagreb”.

“Megjithatë mediat e thonë krejtësisht të vërtetën gjë që është në dorën e prokurorit ta vërtetojnë këtë, përgjegjësia politike është imperative duhet të ndodh në mënyrë imediate, shkarkimi i bordit të KEK-ut është më e vogla që mund të ndodhë”.

Teksa ka thënë se hetimet nuk duhet të ndalen deri në zbardhjen krejtësisht të rastit të drejtorit të KEK-ut, Nagip Krasniqi.

“Presim që hetimet të mos ndalen deri sa të zbardhet e vërteta deri në detajin e fundit përfshirë edhe rolin e ambasadorin Martin Berishaj, ministrisë së Zhvillimit Ekonomik dhe kryeministrit Kurti në të gjithë këtë proces”.

“Jemi të bindur që zotëri Krasniqi nuk ka qenë i vetëm në këto aktivitete shumë milionëshe, duhet të konfirmohet nëse ka pasur një takim mes zotërit Krasniqi dhe zotërit Berishaj në Zagreb”, tha Selmanaj.

“Nga ana tjetër është e papranueshme sulmi i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti ndaj institucioneve të pavarura dhe në këtë rast të Prokurorisë Speciale dhe udhëheqësve të saj”.

Të mërkurën e 19 prillit, Krasniqi u arrestua nën dyshimin se keqpërdori në një tender prej 3.4 milionë euro me kompaninë “Litwin SA” dhe partnerin vendor “Bujar B. Shala B.I.”, për tenderin rreth kryerjeve të punëve për remontin e turbinës dhe gjeneratorit të Njësisë A5 të TC “Kosova A”.

Emri i tij, u përmend edhe në rastin e skandalit financiar të ambasadorit të Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj.

Ky i fundit u raportua se ishte takuar në Kroaci me Krasniqin gjatë muajit mars të vitit të kaluar.

Megjithatë, këtë e kishte mohuar Berishaj gjatë raportimit të tij në Komisionin Hetimor për Energjinë në Kuvendin e Kosovës më 17 nëntor të vitit të kaluar.

“Nuk kam pasur takim me kryeshefin e Korporatës Energjetike të Kosovës. Unë gjitha takimet fillimisht i bëjë në ambasadë. Jam shumë i gëzuar që kam pas mundësin ta shpjegoj një shpifje të madhe që është bërë”, pati thënë Berishaj.

Krasniqi po ashtu ishte akuzuar nga kryetari i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj, se rënia e Bllokut A3 dhe A5 është bërë qëllimshëm, por ky i pari e kishte mohuar një gjë të tillë.

Më 2 dhjetor të vitit të kaluar, Krasniqi ishte ftuar për të raportuar para Komisionit Hetimor Parlamentar i Kosovës në lidhje me procesin e vendimmarrjes në sektorin e energjisë për periudhën 2006-2022.

Por, e kishte lëshuar mbledhjen pas pyetjes së kryetarit të këtij komisioni, Hajdar Beqa, i cili kishte kërkuar informacione nga Krasniqi për mos fillimin e remontit të bllokut A5 në Termocentralin “Kosova A”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore