Shqipëria

Sekuestrohen rreth 1 ton drogë gjatë operacionit ndërkombëtar në Vlorë


Policia e Vlorës ka realizuar një mega-operacion të quajtur “Syri” në bashkëpunim me strukturën italiane të “Guardia di Finanza-s” dhe Frontex-in.

Për këtë operacion u angazhuan 250 forca policore.

Lajmi u bë i ditur nga Policia e Shtetit, duke cituar kryekomisarin Gentian Berberi.

Efektivët kanë arrestuar tre shqiptarë në Vlorë, të cilët po transportonin 992 kilogramë lëndë narkotike.

Ndërsa, autoritetet italiane kanë ndaluar një mjet lundrues me dy ukrainas, të cilët ishin bashkëpunëtorë.

Një person tjetër është shpallur në kërkim nga ana e Policisë së Vlorës.

Berberi bëri me dije se gjatë operacionit u angazhuan edhe Delta Force, Drejtoria Vendore për Kufirin dhe Migracionin Vlorë, Departamenti për Kufirin dhe Migracionin dhe Departamenti për Policinë Kriminale.

Operacioni, sipas tij, u zhvillua nga ajri, deti dhe toka.

Kontrollet u finalizuan me bllokimin e mjetit lundrues që kishte lëndën narkotike dhe arrestimin e personave që kishin organizuar trafikimin e saj.

Policia e Shtetit bëri të mundur identifikimin e personave që dyshohet se kishin transportuar lëndën narkotike, me 3 mjete lundruese, drejt një mjeti tjetër lundrues në thellësi të detit.

Efektivët arrestuan në flagrancë shtetasit me iniciale A. S., 31 vjeç, S. I., 22 vjeç dhe Q. P., 19 vjeç, si dhe u bë shpallja në kërkim e shtetasit G. L., 33 vjeç, të katërt keta banues në Vlorë.

Gjithashtu, gjatë operacionit u kapën në flagrancë, në ujërat italiane, nga Guardia di Finanza, shtetasit me iniciale B. S., 43 vjeç dhe S. S., 62 vjeç, të dy me shtetësi ukrainase.

Shtetasit e arrestuar në Vlorë, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, më datë 7 gusht, rreth orës 15:00, dyshohet se kanë transportuar lëndën e dyshuar narkotike marijuanë.

Kjo, me tre skafe drejt një mjeti tjetër lundrues, në thellesi të ujërave të detit Jon dhe më pas e kanë nisur atë drejt Italisë.

Shërbimet italiane, gjatë kontrollit në bordin e mjetit lundrues, kanë sekuestruar sasinë e ndarë në 153 pako.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore