Shqipëria

Sekuestrohen euro dhe mallra të padeklaruara në Rinas, në pranga dy shtetase


Policia Kufitare në Rinas, si rezultat i kontrolleve të shtuara, ka goditur dy raste të kontrabandës së mallrave dhe një rast të mosdeklarimit të të hollave.

Nga Policia bëhet me dije se për dy rastet e kontrabandës janë arrestuar në flagrancë dy shtetase dhe janë proceduar në gjendje të lirë dy të tjera.

Sakaq, janë sekuestruar edhe veshje të markave të ndryshme, me vlerë të konsiderueshme.

Kurse për rastin e mosdeklarimit të të hollave është proceduar penalisht një shtetas gjerman. Po ashtu është sekuestruar shuma 30 mijë euro që nuk e deklaroi në dalje.

Për këto raste është arrestuar në flagrancë shtetasja E. K., 26 vjeçe dhe ka nisur procedimi në gjendje të lirë për shtetasen H. K., 24 vjeçe, të dyja banuese në Tiranë, pasi në hyrje të RSh-së, në valixhet e tyre, shërbimet e Policisë kanë gjetur veshje për femra, të markave të ndryshme, që nuk ishin deklaruar në doganë, siç përcaktohet me ligj.

Gjithashtu është arrestuar në flagrancë shtetasja V. M., 61 vjeçe dhe ka nisur procedimi në gjendje të lirë për shtetasen M. B., 52 vjeçe, të dyja banuese në Tiranë, pasi në hyrje të RSh-së, në valixhet e tyre, shërbimet e Policisë kanë gjetur veshje për femra, të markave të ndryshme, që nuk i kishin deklaruar në doganë, siç përcaktohet me ligj.

Ndërkohë janë referuar materialet në Prokurori ku ka nisur procedimi në gjendje të lirë për shtetasin gjerman N. Z., 44 vjeç, pasi në dalje në RSh-së, gjatë kontrollit fizik dhe kontrollit në çantë, shërbimet e Policisë i kanë gjetur 30 mijë euro që nuk i kishte deklaruar në doganë. Shuma e parave u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore