Kosova

Sekuestrohen 30 pajisje për prodhimin e kriptovalutave


Drejtoria Rajonale e Policisë së Prishtinës, respektivisht hetuesit e stacionit policor të Veriut pas marrjes së informatave në rrugë operative, kanë realizuar një operacion bastisjeje i cili ka rezultuar me gjetjen e aparaturave për prodhimin e kriptovalutave.

“Operacioni është zhvilluar në një lokal në fshatin Shkabaj të komunës së Prishtinës, me ç’ rast janë gjetur dhe sekuestruar katër riga me gjithsej 30 pajisje për prodhimin e kriptovalutave, të cilat ishin të kyçura dhe funksionale”, thuhet në njoftimin e policisë.

Po ashtu sipas njoftimit, përveç njoftimit të zyrtarëve të ATK-së, në vendin e ngjarjes janë ftuar edhe zyrtarët e KEDS–it, si dhe zyrtarët doganor, për të proceduar më tej me rastin.

Ndërkaq në konsultim me Prokurorin e Shtetit rasti është iniciuar “ Prodhim i ndaluar”.

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, njoftoi më katër janar se është vendosur që në nivel vendi të ndalohet prodhimi i kriptovalutave për ta kursyer energjinë elektrike.

Ekspertët habiten me vendimin e qeverisë

Argumentimi i qeverisë se prodhimi i kriptovalutave duhet të ndalet, sepse pajisjet shpenzojnë shumë energji elektrike, është përqeshur nga ekspertët e teknologjisë.

Milot Mehmeti, njohës i parave digjitale dhe proceseve prodhuese të tyre, në një intervistë për Albanian Post, tha se këto pajisje shpenzojnë fare pak energji.

Vendimi i Qeverisë për ndalimin e prodhimit të kriptovalutave, ka bërë që disa qytetarë të cilët i kanë prodhuar ato, të fillojnë t’i shesin pajisjet e tyre, nga të cilat kanë fituar mijëra euro në vitet e fundit.

Njoftimet për shitjen e pajisjeve po bëhen kryesisht në grupe të ndryshme në rrjetet sociale, ku zakonisht diskutohet vetëm për çështjen e kriptovalutave.

Varësisht nga pajisjet çmimet janë nga më të ndryshmet, duke filluar nga 1 mijë e 500 e deri në 8 mijë euro.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore