Lajme

Seanca ndaj Krivaqës dhe Sejdiut mbahet e mbyllur


Dardan Krivaqa dhe Arbër Sejdiu në seancën gjyqësore.

Në Gjykatën Themelore në Ferizaj, është mbyllur për publikun shqyrtimi gjyqësor ndaj Dardan Krivaqës dhe Arbër Sejdiut, të cilët akuzohen për dhunimin dhe vrasjen e Marigona Osmanit, për shkak se do të bëhet administrimi i CD-së, e cila vlerësohet si prova kryesore aktakuzës.

Por, seanca ka kaluar e mbyllur për publikun me propozim të prokurorit Valdet Avdiu dhe avokatëve Arbnora Shefkiu (mbrojtëse e Arbër Sejdiut) dhe Admir Salihu (mbrojtës i Dardan Krivaqës).

Ky propozim është aprovuar nga gjyqtari i çështjes Sahit Krasniqi, ndërsa seanca pritet që të hapet sërish pas shikimit të kësaj video.

Dardan Krivaqa dhe Arbër Sejdiu, të cilët akuzohen për dhunimin dhe vrasjen e Marigona Osmanit, janë deklaruar të pafajshëm në seancën e shqyrtimit gjyqësor në Gjykatën Themelore në Ferizaj.

Më 2 shtator të 2022, gjyqtari i çështjes, Sahit Krasniqi, kishte marrë aktvendim në bazë të së cilit i kishte refuzuar kërkesat për hudhje të aktakuzës dhe kundërshtimet e provave, të parashtruara nga mbrojtja e të akuzuarve, ndërsa të akuzuarve Krivaqa dhe Sejdiu, iu konfirmua aktakuza.

Më 6 shtator, Gjykata Themelore e Ferizajt e ka konfirmuar aktakuzën ndaj Dardan Krivaqës dhe Arbër Sejdiut, të cilët akuzohen për dhunimin dhe vrasjen e Marigona Osmanit.

Sipas aktakuzës i pandehuri Dardan Krivaqa më 21 gusht 2021, rreth orës 10:14, në banesën e tij në rrugën “Ramadan Rexhepi”, në Ferizaj, pa pëlqimin e tani të ndjerës Marigona Osmani, e kishte detyruar të njëjtën për të kryer marrëdhënie seksuale, e cila siç thuhet në aktakuzë përcillet me tortura.

Të pandehurit Dardan Krivaça dhe Arbër Sejdiu, me dashje dhe në bashkëkryerje e privojnë nga jeta tani të ndjerën Marigona Osmani, me çka në bashkëkryerje kryejnë veprën penale “Vrasja e rëndë”.

Sipas Prokurorisë, gjithashtu për të pandehurin Dardan Krivaqa, ekziston dyshimi i bazuar se i njëjti ka kryer veprën penale “Dhunimi”.

“Ndërsa, i pandehuri Arbër Sejdiu, me dashje i ka ndihmuar të pandehurit Dardan Krivaça, në kryerjen e veprës penale të dhunimit, me çka kreu veprën penale ndihmë në kryerjen e dhunimit nga neni 227 paragrafi 4 nënparagrafi 4.1 lidhur me paragrafin 1 dhe nenin 33 të KPRK-së”, thuhet në njoftimin për media.

Prokuroria Themelore në Ferizaj, me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, të pandehurit e lartëcekur të shpallen fajtorë për veprat penale për të cilat akuzohen dhe të dënohen sipas ligjit.

Më 11 maj, Gjykata Themelore në Ferizaj, kishte shpallur aktgjykim dënues ndaj të pandehurit Dardan Krivaqa prej tetë muaj, sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Ferizaj, për shkak të veprës penale “detyrim”.

Ndryshe, Gjykata Themelore në Ferizaj më 25 gusht kishte aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Ferizajt, për caktimin e masës së paraburgimit për një muaj, kundër të pandehurit Dardan Krivaqës, për shkak të dyshimit të bazuar se në bashkëkryerje ka kryer veprën penale vrasje e rëndë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore