Lajme

“S’dimë na, çka t’thotë Albini” – kryetarët e ri të komunave veriore s’e kanë haberin a do ta fillojnë zbatimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe


Kryetarët e rinj të tri komunave veriore te Kosovës

“Assesi”, ishte përgjigjja e prerë e kryetarit të ri të Komunës së Leposaviqit, Lulzim Hetemit, kur u pyet nga Albanian Post nëse do ta implementojë Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, në komunën që do të udhëheqë tani, pas zgjedhjeve të 23 prillit.

Gjithsesi, vetëm pak sekonda më vonë s’ishte njëjtë i sigurt dhe deklaroi se do bëjë ashtu siç thotë kryeministri i Kosovës Albin Kurti.

“Ai po thotë që s’ka Zajednicë, s’ka Asociacion. Ne e dimë që është marrëveshje ndërkombëtare nga qeveritë e tjera, por të shohim çfarë presioni ka. Ky (Albin Kurti) po thotë jo”.

Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe u pranua nga Qeveria e Kosovës me Marrëveshjen për Rrugën drejt Normalizimit mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel dhe gjithashtu u arrit pajtim në Ohër për implementim. Takimi i ardhshëm mes Kurtit dhe presidentit serb, Alekandër Vuçiç, që pritet të mbahet me 22 maj, është edhe takimi që do prezantojë draft-statutin për Asociacionin, por Hetemi vetë s’është se ka ndonjë ide duhet a jo të zbatohet.

“Ne jemi në shërbim të popullit, shtetit. Nëse po – ne nuk kemi kah të shkojmë, do ta përkrahim qeverinë, normal”, deklaroi në një bisedë telefonike për Albanian Post.

“Nëse na thotë qeveria – po, normal e zbatojmë, nëse nuk na thotë, çfarë implementimi, as që bëhet fjalë!”, thotë i prerë Hetemi.

Përtej kësaj, kryetari i Leposaviqit tregon se mendim të ngjashëm kanë edhe kandidatët e komunave të tjera, me të cilën thotë të ketë komunikuar para zgjedhjeve të së dielës.

“Unë po flas edhe për të tjerët sa i kam dëgjuar, për sa kemi bashkëpunuar para zgjedhjeve, gjatë fushatës, ne nuk besojmë që vjen Asociacioni, por do të veprojmë qysh të thotë kryeministri”, përfundon Hetemi.

Për dallim nga Hetemi, Izmir Zeqiri, i cili do të udhëheqë me komunën e Zubin Potokut, thotë se implementimi i Marrëveshjes për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe e tejkalon nivelin lokal të komunave.

“Sa i përket Asociacionit unë nuk mendoj të merrem fare me këtë gjë, sepse mendoj që është jashtë kompetencave të komunave”, vlerëson Zeqiri, në një prononcim për Albanian Post.

Kryetari i ri i Zubin Potokut, i cili në zgjedhjet e së dielës i mori 196 vota, nga 6 mijë e 61 qytetarë me të drejtë vote sa ka kjo komunë, thotë se para implementimit të Asociacionit, duhet të ri-përsëriten zgjedhjet në këto katër komuna.

“Me këtë dalje kaq të vogël në këtë proces zgjedhor mendoj që nuk jemi ne kredibilët për të folur për këtë temë, ndoshta. Vlerësoj që kur të flitet për Asociacionin fillimisht duhen të shpallen zgjedhje të reja sërish, prapë të kandidojmë edhe për një proces zgjedhor, sidomos në komunat me shumicë serbe, e pastaj të flitet për asociacionin”.

Madje, Zeqiri, i cili fitoi garën për kryetar Komune nga Partia Demokratike e Kosovës, thotë se nuk do që për këtë temë të flas fare gjatë mandatit të tij.

“Unë nuk mendoj të merrem me të. Më parë do të kisha pranuar të dalim në zgjedhje prapë, e pastaj të diskutohet kjo çështje, por jo në mandatin tim”, përfundoi Zeqiri.

Albanian Post ka pyetur për të njëjtën çështje edhe kryetarin e ri të Zveçanit, Ilir Pecin nga Partia Demokratike e Kosovës.

As ai s’e ka fort të qartë ça do bëhet.

“Për momentin nuk mund të them asgjë. Nuk kam koment, nuk kam ide, nuk di se çfarë të them”, pohoi për Albanian Post, për të shtuar më pas që, mbase kjo gjë duhet të diskutohet në nivelin qendror.

“Është çështje e qeverisë jo e kryetarëve të komunave. Çka të vjen ne do të jemi në kontakt me qeverinë e Kosovës”, përfundoi Peci.

Të dielën e 23 prillit u mbajtën zgjedhjet e jashtëzakonshme në katër komunat veriore të Kosovës.

Meqë serbët bojkotuan zgjedhjet, numri i dalësve ishte tejet i vogël. Nga mbi 40 mijë votues me të drejtë vote, përzgjedhjet e tyre i bën më pak se 2 mijë veta.

Kjo ka krijuar një situatë absurde kur ka tashmë katër kryetar të ri në komunat e banuara me serbë, por të gjithë janë shqiptarë. Ata kanë legalitetin e fitores në zgjedhje, sepse gjithçka ka shkuar sipas rregullave, por po u kontestohet legjitimiteti, meqë s’e kanë përkrahjen e qytetarëve atje.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore