Lajme

Scholz ‘sulmoi’ shefin e politikës së jashtme të BE-së për qëndrimin ndaj Gazës


Ju nuk flisni për Gjermaninë dhe Austrinë!

Ky ishte mesazhi që liderët e dy vendeve evropiane i thanë kryediplomatit të BE-së gjatë një debati të nxehtë mbi luftën Izrael-Hamas.

Gjatë një takimi të liderëve të BE-së në mars, kancelari gjerman, Olaf Scholz, dhe homologu i tij austriak, Karl Nehammer, u përballën me Josep Borrell dhe kritikën e tij të hapur disamujore ndaj Izraelit.

Kjo ndërsa numri i të vdekurve në Gaza rritej.

Një qortim nga udhëheqësit e kryediplomatit të bllokut është shumë i pazakontë pasi roli i Borrell është të përfaqësojë Bashkimin Evropian kur bëhet fjalë për çështjet e politikës së jashtme dhe të sigurisë.

Diskutimi ishte “i prerë” dhe u zhvillua para liderëve të tjerë evropianë.

Ajo që e bëri më të sikletshme është se Scholz dhe Borrell vijnë nga e njëjta familje socialiste.

Një zyrtar tjetër i BE-së nuk pranoi të komentojë mbi “spekulimet mbi diskutimet me dyer të mbyllura brenda Këshillit Evropian”.

Zyrtari i BE-së shtoi, “Borrell ka dënuar gjithmonë sulmet e Hamasit, ka bërë thirrje për çlirimin pa kushte të të gjithë pengjeve, për një pauzë humanitare që çon në një armëpushim të qëndrueshëm, për dispozita humanitare dhe për një zgjidhje me dy shtete”.

27 liderët e BE-së do të mblidhen për një tjetër takim të mërkurën dhe të enjten për të diskutuar politikën e jashtme të bllokut, disa ditë pas sulmit të parë të drejtpërdrejtë të Iranit kundër Izraelit me 300 raketa dhe drone.

Dy diplomatë të tjerë të BE-së thanë se marrëdhëniet midis Berlinit dhe Borrelit u përkeqësuan pas një konference katastrofike për shtyp në Moskë në vitin 2021, kur shefi i politikës së jashtme të BE-së nuk reagoi ndaj dyshimeve të ministrit të Jashtëm rus, Sergey Lavrov, se lideri i opozitës ruse, Alexei Navalny, ishte helmuar me agjent nervor.

Marrë nga “Politico”, përshtatur për Albanian Post 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore