Lajme

Scholz: Gjermania do mbështes vendet e Ballkanit Perëndimor për anëtarësim në BE


Olaf Scholz, kancelari gjerman

Para nisjes së Samitit të BE-së në Bruksel, Kancelari gjerman Olaf Scholz ka deklaruar për medie se Gjermania do të mbështes vendet e Ballkanit Perëndimor për t’u anëtarësuar në BE.

Ai ka thënë se është shumë e rëndësishme që procesi i Bashkimit Evropian në Ballkanin Perëndimor, të ecën përpara, dhe për këtë, Scholz, tha se Gjermania do të mbështes përpjekjet e tyre.

”Është shumë e rëndësishme që procesi i BE-së në Ballkanin Perëndimor të ecë përpara. Të gjitha përpjekjet e tyre duhet të çojnë drejt anëtarësimit në BE. Gjermania do të mbështesë përpjekjet e tyre, ne ndihemi përgjegjës për suksesin e tyre”.

”Më e rëndësishmja është se ne po punojmë të gjithë bashkë. Dhe vendet e Ballkanit Perëndimor, do ta kenë një mundësi të mirë për të qenë pjesë e Bashkimit Evropian, ata po punojnë shumë”.

Për dy ditë radhazi Brukseli do të mbledhë liderët e 27 vendeve të Bashkimit Evropian në një samit i cili u parapri nga një takim i krerëve të shteteve dhe qeverive të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor.

Nga ora 9:30 në ndërtesën e Këshillit Evropian fillon takimi i liderëve të BE-së dhe gjashtë partnerëve nga Ballkani Perëndimor.

Në këtë takim pritet shkëmbim i mendimeve me partnerët e Ballkanit Perëndimor për mundësitë për forcimin e procesit të anëtarësimit, përkatësisht përshpejtimin e integrimit të rajonit në Bashkimin Evropian.

Projekt-konkluzionet, që do të miratohen nga udhëheqësit e BE-së për Ballkanin Perëndimor, përsërisin mbështetjen për perspektivën e anëtarësimit në BE për vendet e rajonit, duke bërë thirrje për reforma të vazhdueshme dhe zgjidhjen e çështjeve të hapura dypalëshe, duke përfshirë normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi.

Rreth mesditës është planifikuar fjalimi i presidentit të Këshillit Evropian, Charles Michel dhe presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Layen, pasuar nga një konferencë e përbashkët për shtyp e kryeministrave të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, Edi Rama dhe Dimitar Kovaçevski, si dhe presidentit serb Aleksandar Vuçiç.

Pasdite, në orën 15:00, liderët e BE-së do të fillojnë samitin e tyre të rregullt, ku dita e parë do t’i kushtohet situatës në Ukrainë, dhe kandidaturat e Ukrainës, Moldavisë e Gjeorgjisë për anëtarësim.

Gjatë darkës, liderët e BE-së në Bruksel pritet të mbështesin propozimin e Komisionit Evropian për t’i dhënë Ukrainës dhe Moldavisë statusin e vendeve kandidate dhe që Gjeorgjia të marrë “dritën jeshile” për kandidaturë pas përmbushjes së kushteve shtesë.

Samiti përfundon të premten pasdite me një konferencë të përbashkët shtypi të presidentëve të Këshillit Evropian, Komisionit Evropian dhe Francës, pasi vendi përfundon presidencën e tij gjashtëmujore të radhës të BE-së.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore