Lajme

SBASHK paralajmëron protesta më katër dhjetor, shkak Ligji i Pagave


Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës

Më katër dhjetor do të mbajë protestë Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, për shkak të mos miratimit të Ligjit të Pagave.

Qeveria e Kosovës ende nuk ka publikuar ndonjë detaj në lidhje me komisionet për Ligjin e Pagave, të cilin Gjykata Kushtetuese pjesërisht e ka konsideruar si jo kushtetues.

Përmes një njoftimi për media Sindikata ka njoftuar se në kudër të përgatitjeve për këtë protestë, kanë filluar edhe takimet me Kryetarin e Këshillit të Prindërve, Kryetarin e Kuvendit të Sindikatës së Arsimit Parauniversitar.

“Në selinë e SBASHK-ut kryetari i SBASHK-ut Rrahman Jasharaj bashkë me koordinatorin për organizim të brendshëm Ymer Ymeri, dhe Kryetarin e Kuvendit të Sindikatës së Arsimit Parauniversitar të Prishtinës, Ahmet Pllana, kanë pritur Kryetarin e Këshillit të Prindërve, Jeton Demi, dhe anëtarët e kryesisë së Këshillit të Prindërve të Prishtinës, Nexhmi Hoxha, dhe Besim Cakolli”.

“Përfaqësuesit e SBASHK-ut kanë informuar Këshillin e Prindërve për situatën në arsim dhe për vendimin që në mungesë të gatishmërisë për dialog të Qeverisë të fillohet me veprime sindikale”, thuhet në komunikatën për media.

Këshilli i Prindërve ka deklaruar se SBASHK-u po i bën gjithë angazhimet e mundshme që çështja e Ligjit të Pagave të zgjidhet përmes dialogut dhe takimeve të sindikatave me përfaqësues të Qeverisë në mënyrë që të mos shkohet në grevë.

Nga SBASHK, kanë treguar se nëse këto angazhime nuk japin rezultate, ata kanë paralajmëruar se do të ndodhin edhe grevat në tërë sistemin arsimor.

“Kryetari i Këshillit të Prindërve për Prishtinën, Jeton Demi bashkë Nexhmi Hoxhën e Besim Cakollin, janë shprehur se përkrahin kërkesat legjitime të SBASHK-ut dhe shprehin respekt për përpjekjet që çështjet të zgjidhen me dialog”.

“Po ashtu kanë lavdëruar angazhimin për gjithë këtë përkushtim në mënyrë që të mos vije deri të grevat që paralizojnë tërë sistemin arsimor. Ata janë shprehur se do të debatojnë me kryesinë e Këshillit të Prindërve të Prishtinës për të qenë bashkë me 4 dhjetor në protestë me shpresën se Qeveria do të reflektojë dhe do të arrihet marrëveshje pa pasur nevojë për veprime të tjera”, thuhet në njoftim.

Ndërkaq, Këshilli për Mbrojtën e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNj), ka kërkuar nga Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBAShK), që të mos kërcënojnë përmes protestave.

KMDLNj-j përmes një reagimi ka vlerësuar se është bërë si rregull që çdo vit të kërcënohen institucionet e Kosovës me protesta.

“Është bërë si rregull e mbase edhe pjesë e statutit dhe Rregullores se SBASHK-ut që para çdo viti të ri shkollor të kërcënojë institucionet e Kosovës me protesta, nëse nuk iu përmbushen kërkesat të cilat sa shkojnë e rriten”, thuhet në reagimin e KMDLNj.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore