Shqipëria

Sarrazin i përcjell Hasanit vlerësim të veçantë për rolin e Shqipërisë si shembull në rajon


I dërguari i posaçëm i Gjermanisë në Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, i ka bërë me dije ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, se ai ka një vlerësim të veçantë për rolin e Shqipërisë, si një shembull në rajon për implementimin e reformave dhe të qenit një anëtare e besueshme e NATO-s.

Lajmi është bërë me dije përmes një publikimi në median sociale X, ish-Twitter, nga MEPJ-ja.

Aty bëhet me dije se në margjinat e Samitit mes Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor, zhvilluar në Tiranë, ku u shpalos edhe Plani i Rritjes rajonale, Hasani është takuar me Sarrazin, duke diskutuar për këtë nismë.

Po ashtu, është folur mes tyre edhe për përgatitjet e Procesit të Berlinit, një nismë e ndërmarrë 10 vjet më parë dhe e rigjeneruar së fundmi, ku do të ketë një takim në Berlin.

“Përfaqësuesi Special për vendet e Ballkanit Perëndimor, Sarrazin, përcolli vlerësimin e tij të veçantë për rolin e Shqipërisë, si një shembull i mirë në zbatimin e reformave dhe një anëtare e besueshme e NATO’s”, përmbyllet komunikata.

Më herët ishte Komisioneri i BE-së për zgjerimin, Oliver Varhelyi, i cili në konferencën e përbashkët me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, ka zbuluar se Plani i BE-së për rritjen ekonomike është konceptuar në Tiranë.

Në deklaratën e tij ai u shpreh se ka qenë ideja e të gjithë rajonit për të parë përfitimit e anëtarësimit para se të ndodhë si proces.

Komisioneri e pranoi se shpesh herë BE-ja është tepër burokratike, por se këtë herë po tregon një qasje tjetër.

“Po punojmë për të miratuar legjislacionin e duhur, por vijojmë edhe diskutimet se ç’duhet bërë. Dita e sotme është inkurajim i madh për të gjithë ne për të ecur përpara në mënyrë të përshpejtuar”.

Sipas tij, rajoni mund të bëhet gati për anëtarësim në BE edhe më shpejt seç pritet.

“Elementi që dëshiroj të theksoj sigurisht që e kuptoj se pjesëmarrja në tregun e përbashkët ka të bëjë me konkurrencën. Do të ishte e padrejtë t’u kërkojmë të marrin pjesë në tregun e përbashkët në krahasim me kompanitë tona”.

Edhe njëherë Varhelyi përsëriti se “edhe 6 miliardë euro të tjera duhet të ndihmojnë rajonin”.

“Është sasia e fondeve që ju jepen dhe deri në 2027 rajoni do të gëzojë të njëjtin intensitet ndihme. Do të ishte e vështirë për vendet e rajonit të thoshin pas 2027-s që nuk jemi gati. Kemi filluar punën me planin e investimeve ekonomike, por kemi kaluar më lart”.

Kështu – tha Varhelyi – në rast se doni të trajtoheni si vend i BE atëherë duhet t’i trajtoni edhe vendet e rajonit si anëtare të BE-së.

Por Varhelyi theksoi se, këto plane funksionojnë kur plotësohen rregullat e vendosura nga Bashkimi Evropian.

4 pikat e samitit

Pika e parë e diskutimit – sipas Varhelyit – ishte integrimi në SEPA, për të cilin komisioneri shpreson që do të mbyllet brenda vitit.

“Vendet po përgatiten për këtë gjë, nuk duhet të jetë shumë e vështirë se sistemi bankar ka në vetvete banka evropiane. Duhet të aplikojnë të njëjtat rregulla që aplikojnë në vendet e origjinës, sfida është sa shpejt do mund të aplikohen në terren”.

E dyta ka të bëjë me korsitë e gjelbra, të hiqet koha e pritjes në pikat kufitare.

“Do rregullohen procedurat doganore që të përshpejtohen kalimet në kufi në të gjithë rajonin. Ta shtrijmë në të gjitha pikat e kalimit kufitar dhe duhet të përfundojë në fund të këtij viti dhe ul kostot për bizneset”.

E treta mbi punën kërkimore shkencore.

Varhelyi tha se do të sillet “brezi tjetër i industrive të ndryshme në rajon, novacioni, kërkimi shkencor, do kenë nevojë për një qendër ku të jenë këto industri, një bërthamë dhe kjo të krijohet në Ballkan, sektori digjital dhe farmaceutik”.

E fundit kishte të bënte me rrjetin falas të internetit në gjithë BP.

“I kemi fondet për këtë gjë, duhet t’i pajisim bashkitë me të gjitha mjetet që kjo gjë të bëhet realitet këtë vit”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore