Shqipëria

Sarandë: Kishin përshtatur ambientin për kultivim kanabisi, në pranda 2 punonjës të OSHEE-së


Policia e Sarandës, mëngjesin e 27 janarit ka vënë në pranga dy punonjës të OSHEE-së dhe ka shpallur në kërkim dy të tjerë, pasi në një magazinë, që ishte përshtatur për kultivim të lëndëve narkotike me anë të llambave, lidhja elektrike ishte lidhur në mënyrë të paligjshme.

Në kërkim janë shpallur pronari shtetasi K. O., dhe kontraktori i magazinës shtetasi K. M., i cili kishte marrë me qira ambientet që ishin përshtatur për kultivimin e bimëve narkotike.

Përkatësisht të arrestuar janë shtetasi V. S., 57 vjeç, me detyrë elektricist pranë OSHEE-së dhe G. H., 61 vjeç, banues në Sarandë, me detyrë faturist pranë OSHEE-së.

Sipas Policisë arrestimi i tyre ka ardhur pasi nuk kanë konstatuar lidhjet e paligjshme të energjisë elektrike në ambientet që ishin përshtatur për kultivimin e bimëve narkotike me anë të llambave, në zonën që ata kishin në monitorim.

Në kuadër të operacionit “Vollodor”, Policia njoftoi se u sekuestruan një sasi lënde e dyshuar narkotike kanabis sativa, 100 bimë të dyshuara narkotike kanabis sativa të kultivuara në kubikë dhe 50 llamba elektrike.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” kryer në bashkëpunim, “Kultivimi i bimëve narkotike” kryer në bashkëpunim, “Vjedhja e energjisë elektrike” dhe “Shpërdorimi i detyrës”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore