Sport

Sanksione sportive kundër Federatës Ruse dhe Bjellorusisë


Pushtimi në shkallë të gjerë i Rusisë në Ukrainë u pasua nga lloje të ndryshme sanksionesh, të cilat natyrisht nuk anashkaluan as sportet.

Që nga dita e parë e luftës, sanksionet pothuaj përfshinë të gjitha sportet ruse.

Rusët u hoqën menjëherë nga ngjarje të tilla prestigjioze, si: finalja e Ligës së Kampionëve në Shën Petersburg, Çmimi i Madh i Formula 1 në Sochi, kampionatet botërore në sporte të ndryshme dhe Komiteti Paralimpik nuk i lejoi rusët dhe bjellorusët të merrnin pjesë në Lojërat e vitit 2022.

Futbolli

FIFA dhe UEFA e kanë privuar Rusinë nga garat ndërkombëtare në nivel klubesh dhe kombëtare.

Klubet ruse u përjashtuan nga garat evropiane dhe kombëtares ruse iu hoq e drejta për të luajtur në play-off kualifikues për Kupën e Botës 2022 në Katar.

Përpjekjet e rusëve për të anuluar këto vendime në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv nuk ishin të suksesshme.

Në të njëjtën kohë, FIFA në Kongresin e saj të 72-të nuk e shqyrtoi çështjen e përjashtimit të Rusisë nga organizata.

Megjithëse UEFA i hoqi Rusisë organizimin e finales së Champions League, ajo la ndeshjen për Superkupën 2023 në Kazan.

Fati i Superkupës do të varet nga veprimet e mëtejshme të presidentit rus Vladimir Putin.

Sanksionet prekën edhe futbollin virtual.

Electronic Arts ka lëshuar një përditësim për FIFA 22, në të cilin hoqën klubet ruse, ekipin kombëtar dhe madje edhe stadiumin e Spartak Moskës nga simulatori sportiv.

Vlen gjithashtu të theksohet se UEFA ndërpreu marrëveshjen e sponsorizimit për të gjitha projektet e përbashkëta me Gazprom, Adidas dhe BMW.

Hokej/Xhudo

Sportet e preferuara të Putin-it gjithashtu nuk mbetën pa sanksione.

Skuadra ruse e hokej-it është ndaluar dhe nuk do të mund të marrë më pjesë në të gjitha garat ndërkombëtare.

Për më tepër, Federata Ndërkombëtare e Hokejit në Akull ndaloi të gjitha ndeshjet nën kujdesin e saj në territorin e Rusisë, dhe NHL-ja njoftoi ndërprerjen e të gjitha marrëdhënieve të biznesit me Federatën Ruse.

Gjithashtu, udhëheqja e hokej-it mori kampionatin botëror të të rinjve 2023 nga Rusia.

Në xhudo, Federata Ndërkombëtare i ka hequr Putin-it statusin e presidentit të nderit dhe ambasadorit të federatës.

Dhe në Federatën Ndërkombëtare të Taekwondo-s, presidentit të Rusisë iu hoq një rrip i zi nderi.

Basketboll

Federata Ndërkombëtare e Basketbollit (FIBA) pezulloi kombëtaren dhe klubet ruse nga të gjitha garat dhe u anuluan rezultatet e skuadrave në Kupën më prestigjioze të basketbollit evropian, Euroligën.

Komiteti Ekzekutiv i Unionit Ndërkombëtar të Biatlon-it (IBU) vendosi njëzëri të pezullonte aktivitetet e Federatave Kombëtare të Bjellorusisë dhe Rusisë.

Formula 1

Grand Prix kanë qenë gjithmonë krenaria e Putin-it – ai personalisht mori pjesë në Çmimin e Madh të Rusisë në qarkun e Sochi-t, i cili mbahet që nga viti 2014.

F-1 është i shtrenjtë, prestigjioz dhe i disponueshëm vetëm për një numër të kufizuar vendesh.

Planet e Rusisë përfshinin transferimin në 2023 të fazës F-1 nga Sochi në autodromin Igora Drive të hapur në vitin 2019 në rajonin e Leningrad-it.

Pas fillimit të luftës, udhëheqja e serisë së garave automobilistike ndërpreu kontratën për skenën ruse dhe e hoqi atë nga kalendari.

Gjithashtu, rusët humbën marrëveshjen për transmetimin e garave.

Për shkak të luftës, piloti i vetëm rus Nikita Mazepin u detyrua të mbyllë karrierën e tij në Formula 1, kontrata me të cilën u ndërpre nga ekipi Haas.

Tenis

Kombëtarja ruse u pezullua nga turnetë e skuadrave të Kupës Davis dhe Kupës Billie Jean King, por në garat individuale, rusët vazhdojnë të luajnë në një status neutral.

Përjashtimi i vetëm për momentin ishte Wimbledon – organizatorët e turneut britanik vendosën të heqin të gjithë rusët dhe bjellorusët nga pjesëmarrja në sezonin aktual.

Por kjo lëvizje është një iniciativë e Klubit të Tenisit të të gjithë Anglisë, ndërkohë që shumica e turneve në mbarë botën kontrollohen nga Shoqata e Profesionistëve të Tenisit (ATP) dhe Shoqata e Tenisit të Grave (WTA).

Disa federata ndëshkuan Federatën Ruse dhe Bjellorusinë ose lejuan pjesërisht atletët të merrnin pjesë nën flamuj neutralë.

Askush nuk qëndroi “indiferent” midis organizatave ndaj rekomandimeve të IOC-së.

Në shah, situata është e ngjashme me tenisin – lojtarët nga Federata Ruse lejohen të marrin pjesë në një status neutral.

Federata Ndërkombëtare e Notit pezulloi për nëntë muaj kampionin olimpik nga Federata Ruse, Evgeny Rylov,.

Ky i fundit u pa gjatë një mitingu në Moskë me një xhaketë me simbolin Z.

Shefi i organizatës më prestigjioze të arteve marciale të përziera UFC, Dana White, nuk i ndaloi atletët nga vendet pushtuese të merrnin pjesë në beteja.

Madje rusi Petr Yan arriti të zhvillojë një luftë titulli në të cilën humbi nga Aljamain Sterling.

Në boks, natën e 7-8 majit do të zhvillohet një luftë për brezin kampion të peshave të lehta WBA, në të cilën do të takohen Saul Alvarez dhe rusi Dmitry Bivol.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore