Lajme

Sakellaropoulou pranon se Greqia po përballet me presion ndërkombëtarë për ta njohur Kosovën


Katerina Sakellaropoulou

Presidentja e Greqisë, Katerina Sakellaropoulou, gjatë një konference për media së bashku me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ka pranuar se shteti helen po përballet me presion ndërkombëtarë për të ndryshuar qëndrimin ndaj shtetësisë së Kosovës, por një gjë e tillë, sipas saj, nuk do të ketë ndikim.

“Pozicioni i Greqisë mbetet i pandryshuar, ne po aplikojmë një politikë konstruktive. Ne e mirëpresim progresin në Bruksel dhe veçanërisht pranimin e Aneksit në Ohër. Gjithmonë ka presione në nivel diplomatik, por kjo nuk ka ndikuar në qëndrimin tonë”, ka thënë ajo fillimisht.

Greqia, megjithatë sipas presidentes Sakellaropoulou, mbështet dialogun Kosovë-Serbi për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve.

“Serbia sipas Greqisë i përket familjes evropiane. Ne mbështesim dialogun dhe bisedimet e fundit. Qëllimi ynë është të forcojmë pozitën ekonomike të Serbisë. Qëndrimi ynë në lidhje me Kosovën mbetet i pandryshuar dhe i qëndrueshëm”, ka shtuar ajo.

Në anën tjetër Vuçiç duke e falënderuar pozicionin e Greqisë në raport me pavarësinë e Kosovës ka thënë se synimi i Serbisë është përshpejtimi i rrugës evropiane, vazhdimi i tërheqjes së investimeve dhe zvogëlimi i diferencës në krahasim me vendet e zhvilluara.

“Atë që kemi thënë se do ta zbatojmë – do ta bëjmë, i thashë edhe presidentes së Greqisë se çfarë është  gatshme të bëjë Serbia dhe çfarë jo, edhe zyrtarët evropianë dinë këtë”, ka thënë Vuçiç.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore