Lajme

Sa qesharak duket shpjegimi i Glauk Konjufcës për “vetëmenaxhimin” dhe “kanalin” pas intervistës së Miroslav Lajçak-ut


Glauk Konjufca duke shpjeguar

Të preokupuar me gjetjen e modaliteteve se si ta përshtatin ndryshimin e qëndrimit në raport me Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe a.k.a (also known as) Zajednica dhe jo shpjegimin për vetë Asociacionin, Lëvizja Vetëvendosje u kap fort për fjalën vetëmenaxhim duke shpjeguar se kjo paraqet ndryshim thelbësor të mekanizimit që do të formohet për serbët në Kosovë.

Normalisht, të gjitha do të binin poshtë me intervistën e fundit të udhëheqësit të dialogut Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, i cili e konstatoi qartësisht se bëhet fjalë saktësisht për të njëjtën gjë.

Vetëmenaxhimi është Asociacioni i vitit 2013 i shpjeguar në marrëveshjen e vitit 2015, tha Lajçak, i pyetur pikërisht për shkak të debateve rreth termit të ri.

“Neni 7 nuk përfshin zotime të reja për Kosovën. Neni 7 flet për nevojën e zbatimit të asaj për të cilën Kosova dhe Serbia veçse janë pajtuar. Kjo nënkupton marrëveshjet e viteve 2013 dhe 2015, që flasin që themelimin e një lloj asociacioni të komunave me shumicë serbe”, tha Lajçak.

“Radio Evropa e Lirë: Pra, kjo nënkupton krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë…

“Mirosllav Lajçak: Po”.

Lajçak mbyti debatin, por nuk e ka mbytur mundësinë e rikthimit te disa prej shpjegimeve më qesharake të prodhuara ditëve të fundit.

Një nga më kreativët ishte ai i filozofit prishtinas, autorit të “Hutit të Minervës” që fluturon në Muzg, studiuesit të fenomenologjisë së “geist-it” dhe ndjekësit të Georg Ëilhelm Friedrich Hegel, që aktualisht mban postin e kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca.

I pajisur me dije shpjeguese dhe argumente shteruese, Konjufca në emisionin “Contex-t” qëndroi brenda kontekstit për t’ia bërë fare të thjesht autorit të emisionit se çka saktësisht është vetëmeanxhimi, si dallon ai rrënjësisht nga Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe dhe si ky term nuk erdhi nga “nichts (asgjëja)”, por ishte produkt i një “prozessdenken (proces i thellë i të menduarit)

“Ne i kemi analizuar termet me shumë shuuumë kujdes e vëmendje të lartë duke i qitur’ krejt hartat e terminologjisë ndërkombëtare kur flitet për këto tema”, siguroi Konjufca qytetarët përmes bisedës tête-à-tête me autorin e emisionit.

Në këtë moment, Konjufca u hamendësua pak vuri buzën në gazë dhe gjeti shembullin ideal të shpjegimit sa më të thjesht për masën.

Për të mos e reduktuar në origjinalitet, po e sjellim të plotë shpjegimin:

“Për shembull ty dikush t’i ka dhënë interesat, ta ka vendos ty një kornizë të interesave apo? Mediumi e ka një bord, mblidhen aty, është bordi i drejtorave edhe thojna për kompetencat… edhe… filan angazhimi… e ka qet’ emision… do ta bëjë… me qetë titull edhe pak a shumë do korniza të tematikave. Tash kur t’i japin ty qeto kompetenca a i vetëmenaxhon ti qato? I vetëmenaxhon: qysh, kur, tek, qysh komunikon me mu, qysh i keni vendos kamerat këtu, ti nuk i vetë drejtorat mo atje edhe bordin”, tha Konjufca, por nuk u ndal me kaq.

“E dyta, vetëmenaxhimi, vetëmenaxhimi i interesave. Tjetër kush t’i jep ty interesat… D.m.th kur të ankorohet ty një interes, qaj interes Kosova kujdeset që mos ta dëmtojë interesin shtetëror. Ajo është vetëmenaxhim, bile mendoj që në regjistrin e termave është shumë më i ulët se vetëqeverisje, po qeverisë vetë, a po vetëmenaxhohesh je menaxher”.

Konjufca prapë s’u dal me kaq, shpjegoi edhe një tjetër term për të cilin fillimisht tha se është keqkuptuar komplet.

Në një nga nenet e marrëveshjes mes Kosovë e Serbisë thuhet se organizmi që do ta themelojnë serbët, do të ketë “një kanal të veçantë komunikimi me qeverinë e Kosovës”. Kjo u pa gjerësisht si një frazë problematike, sepse në njëfarë forme paraqet një entitet të ri, unik, që s’është as komunë as qeveri dhe që ndërton raporte me Qeverinë, pra një shtresë të re të pushtetit në Kosovë, në kundërshtim me Kushtetutën.

Edhe këtu të gjithë e kishin gabim. Konjufca tregoi pse.

Termi “kanal” për shembull.

“Kanali nuk është i rrezikshëm”, qetësoi të shqetësuarit kryetari Konjufca.

Kur jemi te kanali… kanali nuk është kompetencë ekzekutive. As komunikimi – me komuniku, qysh mos me komuniku, do të komunikojmë edhe fort bile”, tha.

Shpjegimi i studiuesit të filozofisë që kohëve të fundit, siç e tha në intervistë, ka udhëtuar nëpër labirintet e komplikuar të zbërthimeve frazeologjike dhe terminologjike, do të qëndronte absolut dhe i pa opozitë, nëse Lajçak s’do të thoshte atë që tha në intervistën e tij për Radio Evropa e Lirë.

A është vetëmenaxhimi Asociacion i Komunave me Shumicë Serbe, u pyet. “Po”, tha.

Çfarë nuk dihet ende është nëse Konjufca ka arritur t’ia shpjegojë dot Lajçak-ut se cili është dallimi kolosal mes këtyre të dyjave. Mbase atëherë, diplomatik sllovak nuk do të fliste me kaq siguri para kamerave.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore