Shqipëria

Rutte mahnitet nga zyra e Ramës: E dua edhe unë një letër nga Papa


Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, dhe homologu i tij holandez, Mark Rutte, gjatë vizitës zyrtare të këtij të fundit në Tiranë, janë ndalur edhe në zyrën e Ramës për të zhvilluar një bisedë aty.

Nëpërmjet një postimi në Instagram, Rama ka bërë me dije se zyra e Ruttes në Hague është më e veçanta që ai ka parë. Ndaj, prej asaj kohe, ai ka pritur t’i kthejë nderin e mikpritjes homologut nga “vendet e ulëta”.

Këtë mikpritje, Rutte duket se e ka shijuar tej mase.

Që nga letra dekorative e murit me skicat e kreut të Qeverisë, te busti i Abraham Lincoln që “lexon” Twitter-in e Donald Trump e deri te letra e Papës për kryeministrin, Rutte i ka komentuar dhe shijuar të gjithë elementët estetikë.

Seti i kravatave artistike i ka bërë, po ashtu, përshtypje Ruttes. Ai i ka vënë në dukje Ramës se gjithnjë e ka parë me kravata artistike. Ndërkohë që nuk ka ngurruar të pyesë edhe për portretin e Ismail Qemalit.

Por, atë çfarë vërtet Rutte do të donte nga zyra e Ramës, e gjen te letra e Papës drejtuar kryeministrit shqiptar.

“Papa, ju ka shkruar?”, e pyet ai Ramën.

“Po, është një letër e Papës. Ai i shkruan një kardinali dhe më përshëndet edhe mua aty”, përgjigjet Rama.

“Unë nuk kam një letër nga Papa. Do të dëshiroja një”, thekson mandej Rutte.

Të dy politikanët, përtej turit në Kryeministri, zhvilluan edhe një vizitë te Piramida e Tiranës.

Më herët, ata mbajtën takimin e delegacioneve dhe një konferencë të përbashkët për shtyp.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore