Lajme

Rusia zemërohet me Turqinë për shkak të kthimit të komandantëve të Azov-it në Ukrainë


Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky u kthye nga një vizitë në Turqi dhe solli me vete pesë ish-komandantë të Azov nga Mariupol, pavarësisht marrëveshjes nga viti i kaluar që ata duhet të kishin mbetur në Turqi.

Rusia dënoi menjëherë lirimin e tyre. Zëdhënësi i Kremlin-it Dmitry Peskov tha se Turqia e shkeli marrëveshjen sepse nuk e informoi Moskën, raporton Reuters.

“Askush nuk na informoi për këtë. Sipas marrëveshjes, ata kryesues duhej të qëndronin në territorin e Turqisë deri në fund të konfliktit”, tha Peskov për agjencinë e lajmeve RIA.

Ai shtoi se lirimi i tyre ishte pasojë e presionit të NATO-s mbi Turqinë përpara samitit të Aleancës javën e ardhshme, ku Ukraina shpreson të marrë një sinjal pozitiv për anëtarësimin e saj të ardhshëm.

Komandanti i batalionit Azov, Denys Prokopenko, të cilin Turqia ia dorëzoi me katër oficerë të tjerë të lartë ukrainas presidentit Zelensky në kundërshtim me marrëveshjet e bëra me Moskën, ka premtuar se me shokët e tij të liruar do të bëjnë “çdo gjë të mundshme për t’i dhënë fund luftës”.

Gjatë një konference për shtyp, pas kthimit të tyre në Ukrainë, ai tha se të gjithë synojnë të kthehen në front: “Kjo është arsyeja pse ne u kthyem në Ukrainë, ky është objektivi ynë kryesor”.

Sipas marrëveshjes mes Moskës dhe Ankarasë, pesë komandantët e Azov’it – të cilin Rusia e konsideron organizatë terroriste – ishin liruar me kusht që të qëndronin në Turqi, nën mbrojtjen e presidentit Erdogan, deri në përfundim të konfliktit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore