Lajme

Rusia thotë se marrëveshja e grurit ‘de facto’ ka përfunduar


Marrëveshja për eksportin e drithërave ukrainase, e cila përfundon në mesnatë (21:00 GMT) është “ndërprerë de facto”, tha të hënën Kremlini, duke siguruar se Rusia do të jetë e gatshme t’i kthehet asaj “menjëherë” kur të plotësohen kushtet e saj.

Lajmi u bë i ditur nga agjencia franceze “AFP”.

“Marrëveshja e Detit të Zi ka përfunduar de facto sot”, u tha gazetarëve zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, duke shtuar se “sapo të plotësohet pjesa (e marrëveshjeve) në lidhje me Rusinë, ajo do t’i kthehet menjëherë marrëveshjes së grurit”.

Ai shtoi se ky vendim nuk kishte asnjë lidhje me sulmin ukrainas në urën e Kerçit mbrëmjes e së dielës, pasi qëndrimi i presidentit rus Vladimir Putin për marrëveshjen tashmë ishte i njohur më parë.

Marrëveshja – e përshkruar nga grupet e ndihmës si një mjet shpëtimi për vendet me pasiguri ushqimore – do të skadonte të shtunën.

Fillimisht e ndërmjetësuar nga OKB-ja dhe Turqia korrikun e kaluar, pasi pushtimi rus i Ukrainës në shkurt 2022 nxiti një krizë globale ushqimore, pakti u zgjat në nëntor për 120 ditë.

Rreth 24 milionë tonë prodhime ukrainase janë transportuar deri më tani, mes luftës së gjithanshme të presidentit rus Vladimir Putin kundër Ukrainës.

Ukraina dhe Rusia prodhojnë një pjesë masive të drithërave dhe plehrave të botës, së bashku duke furnizuar rreth 28 për qind të grurit të tregtuar globalisht dhe 75 për qind të vajit të lulediellit gjatë kohës së paqes.

Komiteti Ndërkombëtar i Shpëtimit (IRC) i bëri thirrje Kombeve të Bashkuara të enjten që të ndërmjetësojnë një rinovim të marrëveshjes për plot 12 muaj, duke paralajmëruar se kjo është e nevojshme për “të ndihmuar në shmangien e urisë në vendet më të pasigurta ushqimore”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore