Lajme

Rusia pretendon përparime në Mariupol, ndërsa njësitë ukrainase konsolidojnë mbrojtjen


Ushtria ruse pretendoi të premten se kishte bërë përparime në qytetin port të rrethuar të Mariupol-it, vetëm dy ditë pasi njësitë ukrainase të bllokuara në qytet thanë se kishin konsoliduar mbrojtjen e tyre.

“Grupimi i trupave ruse dhe njësitë e milicisë popullore të Donesk-ut e kanë çliruar plotësisht fabrikën e çelikut Ilyich nga nacionalistët ukrainas si rezultat i ofensivës në qytetin Mariupol”, tha në një deklaratë të premten zëdhënësi ushtarak rus, gjeneralmajor Igor Konashenkov.

Komandantët e dy njësive ukrainase që mbronin Mariupol-in lëshuan një deklaratë video të mërkurën duke thënë se kishin mundur të konsolidonin forcat brenda qytetit. Denis Prokopenko, komandanti i Regjimentit të Azov, tha se njësia e tij ishte lidhur me trupat nga Brigada e 36-të Detare, por pranoi se disa mbrojtës ukrainas ishin dorëzuar.

Në një deklaratë në fillim të kësaj jave, marinsat ukrainas ishin zotuar se do të luftonin, pavarësisht nga pakësimi i furnizimeve dhe municioneve.

Instituti për Studimin e Luftës (ISW) – një institut i pavarur që monitoron fushatën ushtarake ruse në Ukrainë – tha të enjten se trupat ruse “vazhduan sulmet kundër mbrojtjes ukrainase në Mariupol-in jugperëndimor dhe lindor më 13 prill”.

“Zyrtarët ukrainas pranuan më 14 prill se forcat ruse kapën ‘disa’ personel nga Brigada e 36-të Detare e Ukrainës gjatë daljes së tyre nga uzina Ilyich për t’u lidhur me forcat ukrainase në uzinën Azovstal në Mariupol-in lindor më 13 prill”, shtoi ai.

Zyrtarët ukrainas kanë paralajmëruar për një emergjencë të madhe humanitare në Mariupol, duke thënë se rreth 100 mijë civilë ende kërkojnë evakuim.

Të enjten, nënsekretari i përgjithshëm i OKB-së për Çështjet Humanitare dhe Koordinatori i Ndihmës Emergjente Martin Griffiths u bëri thirrje të gjitha palëve që të sigurojnë kalimin e sigurt të civilëve nga Mariupol, pas njoftimit se dy punonjës të ndihmës dhe anëtarët e familjeve të tyre u vranë atje në mars.

Guvernatori ushtarak i rajonit të Donetsk-ut të Ukrainës, pjesë e të cilit është Mariupol, tha të martën se situata në qytetin e rrethuar ishte “e vështirë”, duke cituar vlerësimet paraprake se rreth 22 mijë njerëz kishin vdekur në qytet.

Shifra të pavarura të viktimave nga luftimet në qytetin e shkatërruar nuk janë të disponueshme.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore