Lajme

Rusi: “Memorial-i” veçse një kujtim


Gjykata e Lartë e Rusisë urdhëroi të martën e 28 dhjetorit mbylljen e organizatës më të vjetër të të drejtave të njeriut në vend – Memorial.

Mbyllja e saj shihet si një përpjekje e dukshme nga Kremlini zyrtar për të fshehur mizoritë e epokës sovjetike.

Ky vendim është i fundit në radhën e goditjeve ndaj zërave kundërshtues që nga rënia e Bashkimit Sovjetik 30 vjet më parë.

Motivimi i shfuqizimit të Memorial është i ngjashëm me precedentët e mëparshëm – agjentatura e huaj.

Grupi për të drejtat e njeriut u bashkëthemelua në vitin 1989 nga fituesi i çmimit i Nobelit për Paqen, Andrei Sakharov.

Memoriali gjatë tre dekadave të fundit ndërmori një përpjekje kolosale.

Kjo, për të nderuar kujtimin e miliona personave të ekzekutuar dhe burgosur gabimisht nga Josef Stalin.

Presidenti rus Vladimir Putin ka dënuar autoritetet sovjetike për burgosjen, vrasjen dhe mërgimin e miliona qytetarëve sovjetikë.

Zyrtari rus ka marrë pjesë edhe në përkujtimoret e viktimave, duke përfshirë hapjen e një monumenti të madh në Moskë në vitin 2017.

Gjithashtu, Putin i është referuar shpesh Stalin-it, si një udhëheqës që ndërtoi një ekonomi të fortë dhe solli fitoren në Luftën e Dytë Botërore.

Regjimi i tij besohet se ka vrarë 1.2 milion rusë vetëm gjatë Spastrimit të Madh të viteve 1937-1938.

Memorial ka dokumentuar 3.5 milionë njerëz të ekzekutuar ose të burgosur gabimisht në Bashkimin Sovjetik në vitet 1930.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore