Sport

Rudiger ngec në nënshkrimin e kontratës së re me Chelsea-n


Chelsea po rrezikon ta humbasë Atnonio Rudiger në verën e vitit të ardhshëm, pasi që ata po refuzojnë të plotësojnë kërkesat e qendërmbrojtësit të tyre.

Rudiger ha hyrë në vitin e fundit të kontratës së tij me blutë e Londrës, andaj në rast mos rinovimi, ai do të largohet në verën e vitit të ardhshëm nga “Stamford Bridge” me parametra zero.

Sipas burimeve të ESPN, futbollisti i kombëtares gjermane kërkon dyfishimin e pagës aktuale që merr te Chelsea prej 100 mijë funte në javë, për të hedhur firmën mbi kontratën e re.

Por, sipas burimeve të njëjta, kampioni aktual i Evropës, maksimumi që ka arritur t’i ofrojë futbollistit, është një pagë prej 150 mijë funtesh në javë.

Ky ngërç në marrëveshjen e klubit dhe futbollistit, ka alarmuar klubet e mëdha evropiane të vihen në ndjekje të futbollistit 28-vjeçar.

Drejtuesi e klubit të Paris Saint Germain po monitorojnë me vëmendje çdo lëvizje të lojtarit, për ta rrëmbyer atë me parametra zero në qershor të vitit të ardhshëm, atëherë kur Rudiger do të lirohej nga klubi anglez.

Nga ana tjetër drejtuesit e klubit të Chelsea-t nuk po rrinë duarkryq, pasi që në rast të largimit të gjermanit, pritet të bëjnë maksimumin për të transferuar mbrojtësin e Sevilla-s, Jules Kounde.

Kounde ishte kërkuar nga Chelsea edhe në afatin e fundit kalimtar të verës, por ata u dorëzuan pasi që Sevilla kërkonte të paktën 80 milionë euro për ta lënë të lirë futbollistin në fjalë.

Kujtojmë që Rudiger është pjesë e klubit nga Londra, që nga vera e vitit 2017, kur u transferua nga Roma për shumën e 35 milionë eurove.

Që nga ajo kohë, mbrojtësi me prejardhje nga Sierra Leone ka zhvilluar 155 ndeshje në të gjitha garat me fanellën e kaltër, ku ka realizuar shtatë gola.

Ai me skuadrën e Chelsea-t ka fituar Ligën e Kampionëve, Ligën e Evropës, Superkupën e Evropës, FA Cup dhe EFL Cup.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore