Sport

Rubiales: Marrëveshja Liga – CVC është e turpshme


Presidenti i Federatës Spanjolle të Futbollit (RFEF), Luis Rubiales, e ka cilësuar si të “turpshme” marrëveshjen e nënshkruar nga La Liga me fondin e investimeve “CVC Capital Partners”.

Kreu i federatës gjithashtu tha se institucioni që ai drejton ende nuk e konsideron si të ligjshme atë marrëveshje.

Disa ditë më parë, La Liga njoftoi nënshkrimin e marrëveshjes me CVC në vlerën e 2.7 miliardë eurove, në këmbim të 10% të të ardhurave të La Liga, si dhe 10% të të drejtave televizive.

Dy klubet më të mëdha spanjolle, Real Madrid-i dhe Barcelona kanë dal hapur që në fillim, kundër kësaj marrëveshjeje dhe janë ndër klubet e vetme që nuk kanë pranuar të jenë pjesë e saj.

Pas dy gjigandëve spanjollë edhe Athletic Bilbao dhe Real Oviedo nuk pranuan të jenë pjesë e marrëveshjes. 38 klubet e tjera, nga La Liga dhe La Liga 2 nënshkruan për të marrë huan e fondit anglez.

“Qartësisht një marrëveshje historike, por është një marrëveshje e trupshme”, tha Rubiales gjatë një takimi me përfaqësues të klubeve të elitës.

“Kemi të bëjmë me rastin më të madh të dekapitalizimit të klubeve në historinë e futbollit spanjoll”.

“Nëse një marrëveshje miratohet me shumicë, është mirë, por nuk e bën atë të ligjshme. La Liga ka përpiluar llogaritjet që do të bëjë gjatë viteve të ardhshme”.

“RFEF është i njëjti garantues i konkursit dhe konkurrenca është dëmtuar në mënyrë të pakthyeshme”, përfundoi kreu i RFEF.

RFEF ka qenë që në fillim kundër kësaj marrëveshje, pasi dëmtonte të ardhmen e klubeve dhe konkurencën mes skuadrave, duke qenë se do të jetë në fuqi për 50 vitet e ardhshme.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore