Shqipëria

Rrjedhja e të dhënave, Kraja: Nuk është kompetencë e SPAK-ut, 2022 do të jetë vit intensiv


Kryetari i Prokurorisë së Posaçme, Arben Kraja, në një prononcim për mediat të mërkurën e 29 dhjetorit ka deklaruar se rrjedhja masive e të dhënave personale e tatimpaguesve shqiptar “nuk është kompetencë e SPAK-ut”.

“SPAK punon në bazë të kompetencave që i parashikon kuadri ligjor. Prokuroria e Tiranës ka nisur një hetim për këtë çështje”.

Javën e kaluar një rrjedhje masive e të dhënave personale dhe të pagave të mbi 900 mijë tatimpaguesve në Shqipëri qarkulloi në median sociale. Konkretisht muaji janar dhe prill 2021.

Kraja u pyet nga gazetarët edhe për çështjen e inceneratorëve. Përgjigja e tij ishte e prerë se, “SPAK vazhdon hetimin për të tre inceneratorët – Fier, Elbasa dhe Tiranë”.

Kujtojmë se për këtë çështje është arrestuar ish-ministri i Mjedisit, Lefter Koka, i cili shërbeu në këtë detyrë në vitet 2013-2017. Arrestimi ka ardhur pasi u kallëzua penalisht nga Lëvizja Socialiste për Integrim.

Ndër të tjera ai theksoi se viti 2022 do jetë i vështirë për personat që shkelin ligjet dhe është rritur volumi i çështjeve aktive në institucion.

“2022 do të jetë një vazhdim me intensitet më të lartë dhe tregues më të lartë në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, në të gjitha nivelet e sistemet, si dhe në përdorimin e fondeve publike”.

Në përfundim ai vendosi në balanc punën për vitin 2021 nga SPAK. Një ndër to ishte dhe ngritja e Byrosë Kombëtare të Hetimit.

“2021 ishte një vit konsolidimi i SPAK-ut, nga pikëpamja e ngritjes së BKH-së, gjysma e saj, nga pikëpamja e ngritjes së strukturës, por edhe rezultateve”, e përmbylli Kraja.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore