Shqipëria

Rritje mbi 30% e numrit të shtetasve të huaj që kanë hyrë në Shqipëri në dhjetor


Gjatë vitit 2022, numri i shtetasve të huaj që kanë hyrë në Shqipëri është 7 milionë e 543 mijë e 817, duke u rritur me 32,6 % në krahasim me vitin 2021.

Kështu rezulton nga një raport i fundit i INSTAT-it mbi lëvizjet e shtetasve në vend.

Kurse numri i shtetasve shqiptarë të dalë nga Shqipëria në vitin 2022 është 5 milionë e 882 mijë e 7 duke u rritur 40,4 %, krahasuar me vitin e mëparshëm.

Në muajin dhjetor 2022, hyrjet e shtetasve shqiptarë dhe të huaj në territorin shqiptar, janë 965 mijë e 495 shtetas.

Dhe ky tregues rezulton me një rritje 44,7 %, krahasuar me dhjetorin e vitit 2021.

Për të njëjtën periudhë, numri i shtetasve të huaj që kanë hyrë në territorin shqiptar është 391 mijë e 565. Ky numër është rritur me 46,4 %, krahasuar me dhjetorin e kaluar.

Nga vendet që kanë hyrjet më të larta të shtetasve në Shqipëri për muajin dhjetor 2022, Spanja ka pasur rritjen më të madhe me 74,2 % dhe Mali i Zi me 70,0 %, krahasuar me dhjetorin 2021.

Nga vendet që kanë hyrjet më të larta të shtetasve në Shqipëri gjatë vitit 2022, Spanja ka pasur rritjen më të madhe me 3,6 herë dhe Anglia me 85,9 %.

Kurse Zvicra ka pasur rritjen më të ulët me 14,3 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2021.

Sakaq, daljet e shtetasve shqiptarë dhe të huaj nga territori i Shqipërisë gjatë muajit dhjetor 2022, janë 1 milion e 70 mijë e 394 shtetas, duke shënuar një rritje me 71,8 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Gjatë muajit dhjetor 2022, daljet e shtetasve shqiptarë nga territori i Shqipërisë janë 634 mijë e 998. Krahasuar me dhjetorin e vitit 2021, ky numër është rritur me 85,2 %.

Ndërsa daljet e shtetasve të huaj nga territori i Shqipërisë gjatë muajit dhjetor 2022 janë 435 mijë e 396. Krahasuar me dhjetorin 2021, ky numër është rritur me 55,5 %.

Ndërkohë, numri i shtetasve të huaj të hyrë në territorin e Shqipërisë për qëllime “Personale” është 383 mijë e 136, duke u rritur me 48,3 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Numri i shtetasve që kanë hyrë nga pikat ajrore është rritur me 71,5 %,i atyre që kanë hyrë nga pikat detare është rritur me 42,6 % dhe i atyre që kanë hyrë nga pikat kufitare tokësore është rritur me 27,9 %.

Ndërsa numri i shtetasve që kanë dalë nga pikat ajrore është rritur me 75,7 %, nga pikat detare është rritur me 55,1 % dhe nga pikat kufitare tokësore është rritur me 31,6 %.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore