Shqipëria

Rritja e tarifave të ujit ka nisur, Vlora e para me çmimet e reja


Rritja e tarifave të ujit duket se ka nisur teksa vijon bashkimi i ujësjellësve për të krijuar ndërmarrje më të mëdha për të përmirësuar shërbimin.

Aplikimi i parë është bërë nga ujësjellësi i Vlorës, me miratimin e dhënë nga Enti Rregullator i Ujit (ERRU), ku tarifat e reja janë në rritje.

Çmimi i ujit për familjarët që do të shërbehen nga ujësjellës-kanalizime Vlorë nga muaji shkurt do të jetë 33.3 për qind më i lartë sesa aktualisht.

ERRU ka miratuar një tarifë 60 lekë/m3 ujë për këtë kategori nga 45 lekë/m3 që është aktualisht.

Tarifat e reja – për biznesin dhe klientët publikë që janë kryesisht institucionet – do të jenë 20 për qind më të larta.

Me tarifat e vjetra paguajnë 100 lek/m3, kurse me ato të miratuara së fundmi 120 lekë/m3.

Megjithatë, tarifat e reja janë më të ulëta sesa ato që kishte kërkuar ndërmarrja e Vlorës në aplikimin e saj.

Shërbimi i largimit të ujërave të ndotura ka pësuar gjithashtu rritje.

Tarifa e miratuar për familjarët për këtë rast është 17 lekë, me një rritje 13 për qind në raport me tarifën e mëparshme.

Ndërsa për biznesin dhe konsumatorët publikë tarifa e re është 28 lekë me një rritje 12 për qind nga ajo aktuale.

Po ashtu rritje kanë pësuar edhe tarifat fikse mujore për shërbimin duke u dyfishuar për konsumatorët familjarë nga 100 në 200 lekë në muaj.

Ndërsa për bizneset është rritur me më shumë se 2.5 herë.

Sakaq, Enti ka miratuar edhe objektivat kryesorë që i janë vendosur ndërmarrjes sa i takon mbulimit me shërbim të furnizimit me ujë, mbulimit me shërbim të kanalizimeve, uji pa të ardhura, norma e arkëtimit apo mbulimi i kostove.

Ndërmarrja e ujësjellësit të Vlorës bashkon tre ujësjellës që është ai i Vlorës, Selenicës dhe Himarës.

Por sipas njoftimit të publikuar në faqen e ERRU, ende nuk është bërë riorganizimi i plotë i shoqërisë. Përditësimi i fundit i faqes është në korrik 2023.

ERRU ka në shqyrtim edhe disa aplikime të tjera për ujësjellësit Durrës, Lezhë dhe Fier.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore