Kosova

Rreziqet në sektorin e ndërtimtarisë që kushtojnë me jetë


Foto: Albanian Post.

Një 28 vjeçar nga Prishtina humbi jetën pasi ra nga lartësia dhe pësoi lëndime të rënda, më 22 gusht.

Inspektorati i Punës përmes një përgjigje me shkrim dërguar Albanian Post ka bërë të ditur se 10 persona kanë humbur jetën në vendin e punës vetëm deri në gusht të vitit 2022.

IPK, thekson se 8 prej tyre janë në sektorin e ndërtimtarisë, 1 prodhim dhe 1 energjetikë.

Ndërsa sa i përket lëndimeve të rënda në punë janë 74, prej tyre 17 në prodhim, 32 ndërtimtari, 10 shërbime 11 në tregti dhe 3 në energjetikë.

Lidhur me këto raste IPK-ja ka thënë se ka shqiptuar 77 gjoba, 13 vërejtje dhe 12 raste në procedurë.

Edhe nga njohës që e përcjellin sektorin e ndërtimtarisë konsiderohet se kjo fushë është sektori më i rrezikshëm për punë.

“Të krijohet kultura e përgjegjësive së punëdhënësve”

Eksperti i pjesës se sigurisë në hapësira të punës, Armend Halimi, në një bisedë për Albanian Post konsideron se çdo biznes është i detyruar të bëjë vlerësim dhe trajtimin e punëtorëve në mënyrë të duhur.

“Çdo kompani dhe biznes me proces pune sipas ligjit për Siguri dhe Shëndet në Punë dhe rregulloreve të kësaj natyre janë të detyruar të bëjnë vlerësim risku dhe trajtimin e punëtorëve për kryerjen e sigurt të punës”.

Ilustrim.

“Ne kemi institucionin e licencuar për kryerjen e punëve nga fusha e sigurisë dhe shëndetit në punë”, thotë Halimi për AP.

Mirëpo ai konsideron se kjo duhet krijuar edhe bazuar në mekanizmat shtetërore.

“Konsideroj se mekanizmat shtetërore duhet krijuar kulturën e përgjegjësisë së punëdhënësve në këtë drejtim, që nga vetëdijesimi mbi këtë obligim, pastaj inspektimi për të parë nëse po zbatohet një obligim i tillë ose jo”.

“Neglizhenca e inspektorateve për inspektime të shtuara”

Edhe, Hysen Gashi, njohës i sigurisë në ndërtimtari në një përgjigje për Albanian Post ka theksuar disa faktor që ndikojnë në rrezikun e punëtorëve që në disa raste përfundojnë me fatalitet.

“Kompanitë e ndërtimeve, inspektoratet përkatëse dhe mosmarrja e masave adekuate ligjore ndaj kompanive, punëtorët gjatë punës. Si element të parë për rrezik janë kompanitë e ndërtimeve të cilat nuk ju përmbahen rregullave të përcaktuara me ligj për mbrojtjen e punëtorëve, nuk ju sigurojnë kushtet dhe mjetet e nevojshme mbrojtëse të cilat nevojitën gjatë punës në ndërtimtari”.

Gashi, pohon se faji kryesor për humbjet e jetërave në këtë sektor qëndron tek institucionet.

“Nuk marrin masat dhe veprimet e duhura për sigurimin e terrenit ku ndërtohet me masa mbrojtëse si në nivelet e poshtme po ashtu në nivelet të larta, nuk e bëjnë pastrimin nga mjete të rrezikshme, nuk vendosin barriera mbrojtëse, nuk i posedojnë pajisjet e duhura për mbrojtjen emergjente”.

Foto nga arkivi.

“Si çështje tjetër me rendësi për sigurinë në punë në ndërtimtari janë inspektoratet e caktuara që merren me mbrojtjen e punëtorëve, numri i vogël i inspektorëve, mos përgatitja e tyre profesionale për çështje të caktuara për rreziqet në ndërtimtari, neglizhenca e inspektorateve për inspektime të shtuara në punishte, mosrespektimi i ligjit për masat që duhet ndërmarrë ndaj kompanive që shkelin ligjin për siguri”.

Problemë tjetër me të cilin ballafaqohen sektori i ndërtimtarisë është edhe mungesa e sigurimeve shëndetësore.

Në Kosovë siguria në punë rregullohet me dy ligje

Në aspektin legjislativ në Kosovë sigurinë në punë rregullohet me dy ligje në fuqi: Ligjin e Punës dhe me Ligjin për Siguri në punë, mbrojtjen e shëndetit të të punësuarve dhe ambientin e punës.

Sipas ligjeve në fuqi, punëdhënësi është i detyruar t’i sigurojë kushtet e nevojshme për mbrojtje në punë.

Gjithashtu, punëdhënësi detyrohet ta informojë punëtorin me shkrim para angazhimit të tij, për rreziqet në punë dhe për masat mbrojtëse të cilat obligohet t’i marrë, në të kundërtën, shqiptohen gjoba nga 5 mijë euro deri në 35 mijë euro.

Në raportin e punës të Inspektoratit të Punës për vitin 2020, vetëm në sektorin e ndërtimit, vitin e kaluar kanë ndodhur 30 aksidente. Për shkak të shkeljeve të dispozitave ligjore, në përgjithësi, inspektorati ka shqiptuar masën e gjobës ndaj 115 punëdhënësve, prej tyre 45 gjoba vetëm në sektorin e ndërtimit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore