Pajisje

Rregullat e BE-së për njësimin e karikuesit USB-C për të gjithë telefonat


Referuar një rregulli të ri të propozuar nga Komisioni Evropian, prodhuesit do të detyrohen të krijojnë një zgjidhje universale të karikimit për telefonat dhe pajisjet e vogla elektronike.

Agjencia e lajmeve “BBC” tregon se synimi i kësaj lëvizjeje është zvogëlimi i mbetjeve, duke inkurajuar konsumatorët të ripërdorin ngarkuesit ekzistues kur blejnë një pajisje të re.

Propozimi i ri kërkon që të gjithë telefonat inteligjentë të shitur në Bashkimin Evropian duhet të kenë karikues USB-C.

Mirëpo, një nga kompanitë më të mëdha teknologjike, Apple, ka paralajmëruar se një veprim i tillë do të dëmtonte inovacionin.

Apple-i, prodhues kryesor i telefonave inteligjentë, ka përdorur një portë karikimi të personalizuar, pasi seria e tij iPhone përdor një lidhje ‘Lightning” të prodhuar nga vetë kompania.

“Mbetemi të shqetësuar se rregullorja e rreptë që urdhëron vetëm një lloj lidhësi mbyt inovacionin në vend që ta inkurajojë atë, e cila, nga ana tjetër, do të dëmtojë konsumatorët në Evropë dhe në mbarë botën”, ka deklaruar firma.

Nga ana tjetër, shumica e telefonave Android vijnë me portë USB të karikimit micro-B. Tanimë janë zhvendosur edhe në standardin më modern USB-C.

Ndërkohë, modelet e reja të iPad dhe MacBook përdorin portë karikimi USB-C, siç bëjnë modelet e telefonave të nivelit të lartë nga prodhuesit e njohur Android si Samsung dhe Huawei.

Lidhur me ndryshimet, ato do të zbatoheshin për portën e karikimit në trupin e pajisjes, ndërsa fundi i kabullit që lidhet me një prizë mund të jetë USB-C ose USB-A.

Në vitin 2018, afro gjysma e karikuesve të shitur me celular në Bashkimin Evropian kishin një lidhës USB micro-B, ndërsa 29 për qind kishin një lidhës USB C dhe 21 për qind një lidhës Lightning.

Rregullat e propozuara do të zbatohen për telefonat inteligjentë, tableta, kamera, kufje, altoparlantë portativë dhe tastiera për lojëra video me dorë

Kurse të tjera që përfshijnë kufjet, orët inteligjente dhe gjurmuesit e fitnesit nuk janë marrë parasysh për arsye teknike të lidhura me madhësinë dhe kushtet e përdorimit.

Gjithashtu propozimi standardizon shpejtësinë e karikimit të shpejtë. Pajisjet e afta për karikim të shpejtë do të ngarkohen me të njëjtat shpejtësi.

Parandalimi i mbetjeve

Në BE, politikanët kanë bërë fushatë për një standard të përbashkët për më shumë se një dekadë, me hulumtimin e Komisionit që vlerëson se kabllot e hedhura të karikimit gjenerojnë më shumë se 11 mijë ton mbeturina në vit.

Në Bashkimin Evropian, vitin e fundit janë shitur rreth 420 milionë telefona celularë dhe pajisje të tjera portative elektronike.

Mesatarisht, një person posedon rreth tre karikues të telefonave celularë, nga të cilët përdor rregullisht veç dy.

Në vitin 2009, kishte më shumë se 30 ngarkues të ndryshëm, ndërsa tani shumica e modeleve qëndrojnë në tre të tillë si USB-C, Lightning dhe USB micro-B.

“Edhe pse Apple-i ka bërë një argumentim të fortë për mbajtjen e lidhësit të tij Lightning, duke pasur parasysh një miliard përdorues aktivë të iPhone-it, disa nga produktet e tij duke përfshirë Mac dhe iPad tani mbështesin USB-C”, ka thënë Ben Wood, një analist në CCS Insight.

Ai shpreson se “përfundimisht do të bëhet një çështje pa problem nëse Apple-i vazhdon të shtojë USB-C në më shumë pajisje”.

Megjithatë, “BBC” shkruan se mund të kalojnë disa vite para se propozimet të hyjnë në fuqi.

Fillimisht, propozimi legjislativ i njohur si Direktivë, do të debatohet nga Parlamenti Evropian dhe qeveritë kombëtare.

Kurse euro-deputetët dhe vendet anëtare mund të sugjerojnë ndryshime në propozim. Vetëm pasi Komisioni të ketë rënë dakord për këto ndryshime, direktiva do të miratohet.

Vetë Komisioni Evropian shpreson se kjo do të ndodhë në vitin 2022.

“Ne i dhamë industrisë shumë kohë për të dalë me zgjidhjet e tyre, tani koha është e duhura për veprime legjislative për një karikues të zakonshëm”, ka thënë nënkryetarja e Komisionit, Margrethe Vestager.

Ajo ka shtuar se “kjo është një fitore e rëndësishme për konsumatorët dhe mjedisin tonë dhe në përputhje me ambiciet tona digjitale dhe të gjelbra”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore