Euro 2024

Rrahjet e zemrës së CR7-ës ishin në nivelin më të ulët para gjuajtjes së penalltisë ndaj Sllovenisë


Cristiano Ronaldo

Rrahjet e zemrës së Cristiano Ronaldo-s gjatë ndeshjes së 1/16-të të Euro 2024 të Portugalisë me Slloveninë ishin në nivelin më të ulët përpara se ai të ekzekutonte penalltinë e tyre të parë, kanë zbuluar disa raporte të reja.

Portugalia rezervoi vendin e saj në çerekfinale pasi fitoi me penallti falë pritjeve të portierit Diogo Costa.

Megjithatë, lojtarët e Roberto Martinez-it patën mundësinë për të kaluar në avantazh në kohën shtesë, kur iu dha një penallti pasi Diogo Jota u faullua brenda zonës. Ronaldo mori topin për të ekzekutuar penalltinë teksa kërkoi të shënonte golin e tij të parë në turneun e këtij viti, pasi duroi një mbrëmje frustruese, por 11 metërshi u prit nga portieri slloven Jan Oblak.

39-vjeçari pati shansin të shpengonte veten kur u vendos i pari për të ekzekutuar penalltinë e parë të Portugalisë pas përfundimit të kohës shtesë.

Megjithatë, ai nuk pati asnjë presion pasi rrahjet e zemrës së tij ishin rreth 100 rrahje në minutë, më e ulëta gjatë gjithë natës, sipas të dhënave të ofruara nga “WHOOP”.

Sulmuesi i Al-Nassr shënoi këtë herë, duke gjetur këndin e poshtëm të majtë, pavarësisht se Oblak ishte në rrugën e duhur për ta pritur.

Bruno Fernandes u ngrit më pas për të ekzekutuar penalltinë e dytë dhe gjithashtu shënoi, duke bërë që rrahjet e zemrës së Ronaldo-s të shkonin në rreth 125 bpm.

Rrahjet e zemrës së tij papritmas shkuan mbi 170 rrahje në minutë, ndërsa Bernardo Silva ishte gati të ekzekutonte penalltinë, e cila përfundimisht vulosi fitoren për skuadrën e Martinez.

Ronaldo, siç bën zakonisht gjatë ndeshjeve, mbante rripin “WHOOP 4.0”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore