Euro 2024

Merih Demiral feston golin në Euro 2024 me përshëndetje ultranacionaliste


Merih Demiral (AP)

Mbrojtësi turk, Merih Demiral shënoi një dygolësh për ta çuar Turqinë drejt fitores kundër Austrisë në kampionatin e futbollit Euro 2024, por ndezi zemërim pasi festoi golin e tij të dytë me një përshëndetje ultranacionaliste të “Ujqërve Gri”.

Lojtari i Al-Ahli dhe ish-qendërmbrojtësi i Juventus-it shënoi pas vetëm 58 sekondash për t’i dhënë Turqisë epërsinë kundër Austrisë, përpara se të shënonte një tjetër gol në pjesën e dytë për të vulosur ndeshjen dhe për ta dërguar Turqinë në çerekfinale të turneut të organizuar në Gjermania, pavarësisht se Austria shënoi një gol më vonë.

Por ai festoi golin e tij të dytë me “përshëndetjen e ujkut”, një gjest i lidhur me “Ujqërit Gri”, një grup ekstremist i ekstremit të djathtë i lidhur ngushtë me partinë e koalicionit qeverisës të Turqisë, Partinë e Lëvizjes Nacionaliste (MHP), dhe shkaktoi reagime në mediat sociale.

Përshëndetja e “Ujqërve Gri” është e ndaluar në Austri dhe dënohet me gjoba deri në 4000 euro.

“Ai shfaq hapur simbolin e ‘Ujqërve Gri’ fashistë. Këta paraushtarakë ishin përgjegjës për mijëra vdekje dhe sot ata ulen në qeverinë turke së bashku me AKP (Partia për Drejtësi dhe Zhvillim) të (Presidentit turk Rexhep Tajip) Erdogan. Kur do të reagojë UEFA?”, tha gazetari austriak Michael Bonvalot tha në X.

Duzen Tekkal, një gazetare gjermano-jazide, shprehu zemërim për këtë gjest, duke thënë se ajo ka marrë kërcënime me vdekje nga anëtarët e “Ujqërve Gri” në Gjermani prej vitesh.

“Fakti që Merih Demiral po tregon përshëndetjen e ujqërve të krahut të djathtë këtu është një tallje me viktimat”, u shpreh ajo.

Në një intervistë pas ndeshjes, Demiral tha se ishte i lumtur pasi shënoi dy gola dhe festoi me një gjest që e bëri atë “shumë krenar”.

“Kisha në mendje një festë goli, gjë që e bëra. Jam shumë krenar sepse jam turk, prandaj pas golit e kam ndjerë thellë dhe kam dashur ta bëj dhe jam shumë i lumtur që e kam bërë”, ka thënë mbrojtësi turk.

Më pas ai publikoi një postim në X ku e tregonte duke festuar me përshëndetjen me frazën “ne mutlu Türküm diyene”, që do të thotë “Sa i lumtur është ai që thotë se jam turk”.

Fraza, e krijuar nga Mustafa Kemal Ataturk, themeluesi i Turqisë moderne, ka një kuptim të keq për pakicat në Turqi, si kurdët, armenët, grekët dhe asirianët.

“Ujqërit Gri” janë famëkeq për sulmet ndaj komuniteteve pakicë në Turqi dhe jashtë saj. Në vitin 2021, Parlamenti Evropian u bëri thirrje vendeve anëtare që të aplikojnë etiketën e terrorit për lëvizjen e “Ujqërve Gri” dhe ta ndalojnë grupin në Evropë.

Ai tha se grupi ishte “veçanërisht kërcënues për njerëzit me prejardhje kurde, armene ose greke dhe këdo që ata e konsiderojnë kundërshtar”.

Në mars, një grup nacionalistësh turq bënë një “përshëndetje ujku” ndërsa sulmuan disa familje kurde që ktheheshin nga festimet e Vitit të Ri kurd (Newroz) në Belgjikë. Të paktën gjashtë persona u plagosën dhe flamuri i Kurdistanit u dogj.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore