Sport

Rrahje mes tifozëve të Fiorentina-s dhe West Ham-it para finales së Ligës së Konferencës


Policia çeke ka arrestuar disa persona që thuhet të jenë tifozë të Fiorentina-s, pasi ata sulmuan tifozët e West Ham-it para finales së Ligës së Konferencës që do të zhvillohet sonte (e mërkure) në Pragë.

“Tre persona u plagosën në një lokal në rrugën “Rytirska”, ndërsa policia konfirmoi se një oficer ishte sulmuar gjithashtu gjatë incidentit”, njofton BBC.

Në një postim në Twitter, policia çeke tha se i kishte arrestuar 16 persona.

Një tifoz i West Ham-it, i cili nuk donte të emërohej, tha se “një grup i madh” tifozësh italianë sulmuan lokalin “Tek-ila Tek-ila” në qendër të qytetit të mërkurën.

Ai shtoi: “Rreth tetë italianë kaluan pranë, duke tundur shirita dhe zinxhirë. Pesë minuta më vonë, ishte një grup i madh që zbriti nga rruga dhe na sulmoi”.

Tifozi tha se një nga miqtë e tij ishte lënduar rëndë me një “prerje masive” në kokë.

Një dëshmitar 17-vjeçar tha se tifozët e West Ham-it “nuk kishin bërë asgjë të keqe” dhe tifozët e Fiorentina-s “po hidhnin flakë dhe fishekzjarre”.

Kujtojmë që finalja e Conference Leauge do të fillojë në ora 21:00.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore