Sport

Ronaldo barazon rekordin e Ali Daei-t


Ylli i Portugalisë, Cristiano Ronaldo, ka barazuar rekordin e futbollistit iranian, Ali Daei, për sa i përket golashënuesit më të mirë për kombëtare.

Me dy golat e shënuara ndaj Francës, në kuadër të ndeshjes së fundit të grupeve të Kampionatit Evropian, “Euro 2020”, Ronaldo ka arritur shifrën e 109 golave për kombëtaren e Portugalisë.

Ronaldo ndaj Francës, shënoi dy herë nga pika e bardhë e penalltisë, duke realizuar golin e 108-të dhe 109-të, personal të tij, për kombëtaren portugeze.

Përveç këtij rekordi që është shumë afër ta thyejë, Ronaldo me pesë golat që shënoi në “Euro 2020”, u bë golashënuesi më i mirë i Kampionateve Evropiane, me 14 gola, duke arritur këtë shifër në pesë kampionate evropiane, që gjithashtu është një rekord i portugezit për sa i përket pjesëmarrjeve në Euro.

Pesë herë fituesi i Topit të Artë, gjatë një karriere të suksesshme 19-vjeçare, që nga viti 2003, ka shënuar 109 golat e tij për Portugalinë, gjatë 178 paraqitjeve në të gjitha garat.

Portugalia në fazën e 1/8-ve të finales do të ketë përballë Belgjikën, me Ronaldon që do të kërkojë golin, për tu shpallur golashënuesi më i mirë në histori për kombëtare.

Mirëpo, duke parë formën e portugezit, ai ka mundësi edhe pas Kampionatit Evropian që ta thyejë këtë rekord.

Në anën tjetër, futbollisti iranian, Ali Daei, ka shënuar 109 gola, në 145 paraqitje për kombëtaren e tij, gjatë viteve 1993 deri në 2006.

Ai më së shumti gola arriti në vitin 1996, në të cilin shënoi 22 gola, për kombëtaren e Iranit.

Ali Daei, shumicën e karrierës së tij, e ka zhvilluar jashtë klubeve evropiane. Ai në Evropë luajti për pesë vite në klubet e Bundesligës gjermane, ku një vit luajti për Bayern Munich, një tjetër për Arminia Bielefeld, si dhe tre vjet për Hertha Berlin.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore