Lajme

Rohde kërkon nga Kosova dhe Serbia zbatim të shpejtë të deklaratës për të pagjeturit


Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde.

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, në ditën Ndërkombëtare të Personave të Zhdukur me Dhunë ka kërkuar nga Kosova dhe Serbia zbatim të shpejtë të marrëveshjes për personat e zhdukur, e dakorduar më 2 maj.

Këto komente ai i ka bërë pasi ka shpërndarë postimin e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), në rrjetin social X.

“Në Ditën Ndërkombëtare të Viktimave të Zhdukjeve me Forcë, unë bashkohem me OSBE-në duke kërkuar zbatimin e shpejtë të marrëveshjes së lartpërmendur. Më shumë se 1600 njerëz janë ende të zhdukur”, shkroi.

Më herët gjatë ditës, Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) i ka kërkuar Kosovës dhe Serbisë zbatim të deklaratës për personat e pagjetur.

“Në Ditën Ndërkombëtare të Viktimave të Zhdukur me Forcë, 30 gusht, ne vajtojmë 1 mijë e 617 të zhdukur nga konflikti në Kosovë. Mendimet dhe lutjet tona shkojnë për familjet dhe miqtë e të gjithë personave të zhdukur”, ka shkruar OSBE në platformën sociale, X.

“U bëjmë thirrje palëve që të zbatojnë Deklaratën për Personat e Zhdukur të nënshkruar më 2 maj të këtij viti në Bruksel, me qëllim që t’i mbyllin vuajtjet dhe të nxisin pajtimin dhe paqen e qëndrueshme”.

Në Kosovë të mërkurën e 30 gushtit shënohet Dita Ndërkombëtare e Personave të Zhdukur me Dhunë.

Më shumë se dy dekada pas luftës, mbi 1 mijë e 600 persona konsiderohen ende të pagjetur – shumica shqiptarë.

Familjarët ende janë duke pritur përgjigje për fatin e tyre dhe vendndodhjen e të dashurve të tyre.

Ndërsa, është arritur edhe një Marrëveshje për të zhdukurit e luftës së fundit në Kosovë në Bruksel mes Kosovës dhe Serbisë me 4 prill.

Pjesa më e madhe e marrëveshjes ishte gati prej kohësh, por nënshkrimin e bllokonte terminologjia që duhej të përdorej kur bëhej fjalë për të zhdukurit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore