Lajme

Rohde demanton ambasadorin Ajeti: Avokati nga Kosova s’mund të ushtrojë profesionin në Gjermani pa diplomë përkatëse


Jorn Rohde dhe Faruk Ajeti

Dy ditë më parë, Ambasadori i Kosovës në Gjermani, Faruk Ajeti, kumtoi lajmin – të cilën e cilësoi si të mrekullueshme – se avokatët nga Kosova nga sot njihen zyrtarisht nga shteti Gjerman dhe se tani e tutje avokatët e licencuar nga Kosova do të mund të ushtrojnë funksionin e tyre edhe në Republikën Federale të Gjermanisë.

Megjithatë realiteti del të jetë pak më ndryshe nga ajo që e trumbetoi ambasadori kosovar të enjten.

Kështu të paktën thotë kolegu i tij gjerman, Jorn Rohde, i cili një ditë më parë përshëndeti vendimin e publikuar nga Ajeti për avokatët nga Kosova, pa e sqaruar saktësisht se a do të mund të ushtrojnë avokatët kosovarë profesionin e tyre në Gjermani në nivel të barabartë me avokatët gjermanë.

Ndërsa të shtunën ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Rohde, përmes një statusi në rrjetin e tij social në Twitter, ka qartësuar deklaratën e tij të mëparshme për këtë çështje duke nënvizuar faktin se kjo marrëveshje nuk nënkupton njohje apo barazvlerësim të licencës së avokatit të Kosovës me atë të Gjermanisë.

Sipas tij një avokat i Kosovës për të ushtruar profesionin e tij në Gjermani duhet fillimisht që t’i përsërit studimet në Gjermani.

“Ndërsa avokatët nga Kosova lejohen të punojnë në Gjermani, praktikimi i ligjit gjerman kërkon një diplomë përkatëse. Ky kusht mbetet për përfaqësimin e klientëve në gjykatat gjermane. Përditësimi ka të bëjë vetëm me aktivitetet jashtëshkollore të avokatëve, duke përjashtuar procedurat gjyqësore”, ka shkruar Rohde në Twitter.

Sipas marrëveshjes në fjalë i publikuar nga ambasadori Ajeti, e cila mban siglën e Ministrisë Federale të Drejtësisë së Gjermanisë, avokatët nga Kosova mund të ushtrojnë profesionin e tyre vetëm në cilësinë e ofrimit të shërbimeve të përkohshme këshillëdhënëse juridike me lëndë të cilët lidhen me ligjet e Kosovës ose ligjet ndërkombëtare e jo me ligjet e shtetit Gjerman.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore