Lajme

Rizvanolli për gazetën zvicerane: Hera e parë që Perëndimi s’e konsideron Kosovën si nxënëse të mirë


Artane Rizvanolli

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, në një intervistë për të përditshmen zvicerane në gjuhën frënge “Le Temps“, ka kritikuar qasjen e bashkësisë së organizuar ndërkombëtare në lidhje me situatën e tensionuar në pjesën veriore të Kosovës të banuar me serbë etnikë.

Kur është pyetur në lidhje me kritikat e adresuara nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilët e kanë bërë ekskluzivisht fajtore Qeverinë e Kosovës për ngritjen e tensioneve në veri, ajo ka thënë se kjo është hera e parë që Perëndimi s’e portretizon Kosovën si “nxënëse të mirë”.

“Më mirë do të thoja që është hera e parë që nuk na portretizojnë si nxënës të mirë, është një nuancë e rëndësishme. Ajo që po themi shumë qartë është se ne duam një vend në të cilin gjithë këtë progres, ekonomik, demokratik, duhet ta ndajnë të gjithë qytetarët e Kosovës, qofshin ata serbë, shqiptarë, romë apo ashkali”.

“Gjithçka që po ndodh, në fakt, sikur ne po paguajmë çmimin e dëshirës për të qetësuar regjimin serb. Megjithatë, kjo është veçanërisht shqetësuese pikërisht në momentin kur komuniteti ndërkombëtar kupton se po vuan sot pasojat e një dëshire tepër të madhe për qetësim përballë Rusisë së Vladimir Putinit”, ka thënë ajo.

Serbët lokalë në veriun e terroritorit – Leposaviq, Mitrovicë e Veriut, Zveçan dhe Zubin Potok – sipas ministres Rizvanolli, jetojnë aktualisht nën kërcënime dhe presion, ndërsa ka shtuar se të njëjtit po përdoren dhe po manipulohet nga regjimi autoritar i presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç.

“Në veri të Kosovës, krimi i organizuar ka mundur të lulëzojë në këto komuna dhe laboratorët e drogës apo kontrabanda ilegale përfitojnë veçanërisht nga fakti që nuk paguhet rryma në këto komuna për njëzet e katër vjet, gjë që është krejtësisht e paimagjinueshme”, ka thënë ajo.

“Qytetarëve serbë të Kosovës janë duke iu bërë presion dhe kërcënime nga forcat e presidentit serb Vuçiç që të mos marrin pjesë në zgjedhje. Për ne është jashtëzakonisht e rëndësishme që zgjedhjet e ardhshme të zhvillohen në siguri të plotë për kandidatët, por edhe për votuesit”, ka shtuar ministrja Rizvanolli.

Ndryshe, një varg sanksionesh tepër serioze janë pregatitur tashmë nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës ndaj Kosovës për shkak të mospërfilljes së kërkesave të tyre nga kryeministri Albin Kurti për uljen e tensioneve në veriun e Kosovës të banuar me shumicë serbe.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore