Lajme

Rizvanolli në Pragë: Presim ndihmë nga BE-ja në situatën e krizës energjetike


Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli.

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, është duke marrë pjesë në një takim jozyrtar të Ministrave të Energjisë që është duke u zhvilluar në Pragë.

Ajo në një deklaratë të shkurtë për media ka thënë se presin që nga pjesëmarrja në këtë takim të gjejnë një zgjidhje për krizën energjetike të Kosovës.

“Kosova po ballafaqohet me shumë sfida, natyrisht sikur edhe shumë vende të tjera në sektorin e energjisë. Ne jemi veçanërisht të varur nga dimri i vështirë i importit, gjë që e bën këtë dimër edhe më të vështirë për ne”, ka thënë Rizvanolli.

Ajo tutje është shprehur se presin nga Bashkimi Evropian që të ketë ndikim pozitiv edhe për Kosovën.

“Ne shpresojmë që BE-ja do të na përfshijë edhe ne dhe të gjejë një zgjidhje. Gjithashtu të ketë një ndikim pozitiv mbi ne”.

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli.

Rizvanolli, tutje ka shtuar se arsyeja se e pjesëmarrjes së Kosovës është që të mësojnë më shumë se si  të kalohet kjo krizë.

“Kështu që ne jemi sot këtu për të mësuar më shumë rreth metodologjisë, por edhe për të shprehur pikëpamjet tona dhe çfarë do të na ndihmojë në këtë periudhë të krizës”.

Ndryshe ky takim do të drejtohet nga Jozef Sikela, zëvendëskryeministër dhe ministër i Industrisë dhe Tregtisë i Republikës Çeke.

Ministrat do të diskutojnë edhe mundësinë e përfshirjes së hidrogjenit në planet për tranzicionin energjetik, gatishmërinë aktuale energjetike të BE-së për dimrin e ardhshëm dhe reformën e tregut të energjisë elektrike.

Një krizë globale energjetike ka nisur të japë shenja në mbar globin.

Çmimet evropiane të gazit natyror janë rritur aq shumë, saqë qindra miliona njerëz mund të përballen me shtëpi të ftohta ose fatura të fryra të energjisë gjatë dimrit.

“Kjo krizë energjetike në Evropë do të afektojë edhe Kosovën”.

Këtë e ka bërë të ditur Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, pasi sipas saj qytetarët duhet të përgatiten për një rritje eventuale të çmimeve të energjisë.

Kjo pasi që çmimi i energjisë elektrike për një Megavat për orë, prej 60 euro, sa kanë qenë para kësaj krize në Evropë, tani ka arritur në mbi 100 euro.

Në anën tjetër Zyra e Rregullatorit të Energjisë në Kosovë (ZRrE) ka bërë të ditur se tarifat aktuale të energjisë do të mbesin të njëjta deri me një prill të vitit të ardhshëm, atëherë kur bëhet edhe rishikimi i rregullt i çmimeve të energjisë elektrike në vartësi të të hyrave maksimale të lejuara për operatorët, KESCO, KEDS dhe KOSTT.

Përkundër faktit që çmimi i importit të energjisë elektrike është rritur dukshëm gjatë këtij viti krahasuar me vitet e kaluara, ZRrE ka vendosur të mos lejojë tani shtrenjtimin e energjisë elektrike.

Ndërkaq, më 8 tetor, kriza energjetike në Evropë dhe ngritja e çmimit të energjisë elektrike në tregjet globale, ka bërë që fabrika e prodhimit të nikelit në Kosovë “Ferronikeli” të ndërprejë përkohësisht punën.

Fabrika Ferronikeli, në një e-mail dërguar AP, ka bërë të ditur se ndërprerja e prodhimit ka ardhur si shkak i rritjes së vazhdueshme të çmimit të energjisë elektrike.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore