Lajme

Rizvanolli gënjeu kur tha se Kosova figuron pa fusnotë në Shërbimin Gjeologjik Evropian


Artane Rizvanolli

Atë çfarë të shtunën prezantoi ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, si një lajm të mirë për shtetësinë e Kosovës në arenën ndërkombëtare, del të mos jetë plotësisht e saktë.

Kosova, shkroi, Rizvanolli në platformën sociale, Facebook, tashmë është pjesë e Hartës Gjeologjike Evropiane.

Sipas saj pas një angazhimi intensiv nga Shërbimi Gjeologjik i Kosovës, Kosova është paraqitur në hartën e Shërbimit Gjeologjik Evropian me kufij të plotë – pa vija administrative në raport me Serbinë.

Kjo ndonëse është e saktë, hilja në këtë mes qëndron te fakti se Rizvanolli ka gënjyer kur ka deklaruar se Kosova nga sot e tutje do të përfaqësohet në Shërbimin Gjeologjik Evropian edhe pa fusnotë.

“Pas një angazhimi intensiv nga Shërbimi Gjeologjik i Kosovës, Kosova tash është paraqitur në hartë me kufij të plotë e pa fusnotë, si dhe trajtohet njëjtë si të 37 vendet Evropiane pjesë të Shërbimit Gjeologjik Evropian”, shkroi Rizvanolli.

Një gjë e tillë mund të vërtetohet lehtësisht me një kërkim të thjesht në faqen e Shërbimit Gjeologjik Evropian, ku del që Kosova në këtë institucion ndërkombëtar figuron ende me fusnotë.

Republika e Kosovës paraqitet me fusnotë në Shërbimin Gjeologjik Evropian

Në pjesën ku paraqitet lokacioni i saktë i Shërbimit Gjeologjik të Kosovës, Republika e Kosovës paraqitet me fusnotë, ndryshe nga siç e ka paraqitur Rizvanolli.

Shërbimi Gjeologjik Evropian (EuroGeoSurveys -EGS) është organizatë e cila në vete ka aktualisht 37 vende anëtare dhe qëllimi i saj është që përmes bashkëpunimit të ndërsjellë të ofroj harta gjeologjike si dhe të dhëna të tjera relevante për proceset vendimmarrëse në kuadër të institucioneve evropiane.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore