Lajme

Rizvanolli: ARKEP monitorues i Marrëveshjes për Roaming


Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka deklaruar se janë hequr tarifat e romingut për thirrjet, SMS-të dhe internetin, të cilat shfrytëzohen jashtë paketave të operatorëve telefonik në rajon.

Ajo ka sqaruar marrëveshjen, e cila është nënshkruar mes shteteve të Ballkanit Perëndimor për tarifat e romingut.

“Do të thotë kur flasim për heqje të tarifave të romingut, jemi duke folur për shërbimet që janë jashtë paketave, thirrjet dhe mesazhet kushtojnë njëjtë tani, sikurse brenda vendit ashtu edhe jashtë shtetit” është shprehur Rizvanolli.

Tani për thirrjet e pranuara nuk do të paguhet kosto shtesë, megjithëse operatorët kanë të drejtë të ofrojnë pako të ndryshme brenda dhe jashtë vendit.

“Gjithashtu, për thirrjet e pranuara jashtë vendit, për dallim prej më herët, tani nuk paguani kosto shtesë për roming … Kjo nuk do të thotë se paketat e ofertave që i keni në Kosovë, t’i përdorni edhe jashtë vendit me të njëjtën kosto”, potencoi ajo.

Monitorues i zbatimit të marrëveshjes nga operatorët kosovarë do të jetë Autoriteti Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP).

“ARKEP-i do ta mbikëqyr marrëveshjen, mund të ketë gjoba për operatorët që nuk e zbatojnë, por kjo është diçka që është kompetencë e ARKEP-it”, ka thënë Rizvanolli.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore