Shqipëria

PD dorëzon ankimim në Kushtetuese për ligjin e tatimit me 23% për profesionet e lira


Partia Demokratike ka dorëzuar këtë të martë të 28 shkurtit anikimin në Gjykatën Kushtetuese për ligjin e tatimit me 23 për qind për profesionet e lira.

Një fite më parë ishte kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, i cili njoftoi këtë hap që do të ndërmerrnin.

“Sot ne orën 12:30, anëtarët e Komisionit të Ekonomisë, në emër të Grupit Parlamentar të PD-së dorëzojnë ankimimin në Gjykatën Kushtetuese, për ligjin e tatimit 23 për qind për profesionet e lira”, thuhet në reagim.

Më herët, Bardhi ka thënë se me këtë projektligj, profesionet e lira tatohen më shumë edhe se oligarkët.

Gjithashtu ai ka thënë se presidenti Bajram Begaj duhet të jetë me qytetarët dhe të mos dekretojë projekt-ligjin për zonat e mbrojtura.

Të hënën e 1 janarit ka nisur zbatimin paketa e re fiskale me rritjen e akcizës së duhanit e cigareve dhe tatimin mbi të ardhurat nga profesionet.

Janë 26 kategori të profesioneve të lira që do të tatohen, të ndara në 180 profesione sipas llojit të aktivitetit.

Të ardhurat nga punësimi do të tatohen sipas normave progresive 13% dhe 23%; të ardhurat neto nga biznesi sipas normave progresive 15% dhe 23%; të ardhurat nga investimi sipas normave respektive 8% dividendi dhe ndarjet e fitimit dhe 15% të ardhurat e tjera nga investimi.

Sipas paketës, sugjerohet një rritje të të ardhurave në arkën e shtetit dhe rregullime në disa sektorë.

Ndërsa, do të ketë një tavan prej 1.5% në rritjen dy-vjeçare të akcizave, e cila lidhet në mënyrë të drejtpërdrejtë edhe me normën e inflacionit.

Për uljen e këtij të fundit, Banka e Shqipërisë vendosi së fundmi edhe rritjen e normës bazë të interesit në 3.25%.

Thënë kjo, akciza e karburanteve, birrës, apo verës, nuk do të rritet me 11% si vitet e shkuara, por shtesa do të ndalet në vetëm 1.5%.

Nga ana tjetër, me rekomandim të Bashkimit Evropian, do të vendoset një taksë mbi industrinë e hekurit, çimentos dhe prodhimit të ferro-kromit.

Kjo, për shkak të emetimeve të karbonit që këto industri të rënda lëshojnë.

Këto kompani që përdorin qymyrin si lëndë të parë, paguajnë vetëm 3 lekë/kg si taksë karboni, dhe nga viti 2024 deri në 2030 ato do të paguajnë 15 lekë/kg.

Përjashtim nga taksat ndërkohë, sipas planit të Qeverisë, do të kenë importi i mëshqerrave dhe insekteve, ku përfshihen edhe bletët.

Në bazë të kësaj politike të re, synohet që të ketë një rritje të krerëve në vend si edhe zhvillim të mëtejshëm të bletarisë, apo stimulimit të prodhimeve të njohura si “bio”.

Ndryshime do të ketë edhe në ligjin për procedurat tatimore.

Kështu, nëse kompanitë nuk paguajnë në kohë tatimin korporativ apo mbi të ardhurat personale do të ketë gjoba proporcionale dhe jo fikse. Çdo ditë e papaguar, gjobës do t’i shtohet një kamatë me 0.06% e detyrimit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore