Lajme

Rita Ora shihet në krah të Gjokoviç-it


Rita Ora dhe Novak Gjokoviç

Këngëtarja me prejardhje nga Kosova, Rita Ora, është parë duke shikuar së bashku me tenistin serb Novak Gjokoviç – i cili vazhdon të flasë kundër shqiptarëve dhe Kosovës – finalen e Kupës së Botës në “Rugby”.

Ora, në finalen në mes të Zelandës së Re dhe Afrikës së Jugut, që është përmbyllur me fitoren e këtyre të fundit, është e shoqëruar nga burri i saj, Taika Waititi, dhe pranë saj gjendet edhe tenisti serb.

Gjokoviç njihet për thirrjet e tij nacionaliste, madje ai shpesh ka përkrahur publikisht thirrjet fashiste serbe ndaj shqiptarëve të Kosovës. Tenisti serb kishte shkruar “Kosova është zemra e Serbisë” në turneun e mbajtur në “Stade Roland Garros” në fund të majit në Paris.

Përveç fotove, tanimë kanë dalë edhe videot ku Ora shihet duke biseduar me Gjokoviç-in. Në momentin kur kamera i fikson bashkëbiseduesit, Ora ngre duart lart për përshëndetje.

Ky nuk është rasti i vetëm kur këngëtarja me famë botërore merr vëmendjen për shkak të raportit me serbët.

Ajo, gjatë një performance në një koncert të saj në Hungari më 27 gusht, në një moment ishte shfaqur duke vallëzuar me flamurin serb mbi supe.

Momenti kur Ora kishte vendosur mbi supe flamurin serb.

Për këtë gjest, Ora ishte kritikuar shumë nga publiku kosovar.

Lidhur me këtë rast, një ditë më pas, ylli i hitit “Shine ya light” kishte reaguar duke thënë se nuk e kishte ditur që ishte flamuri i Serbisë, derisa kishte theksuar se e konsideron veten “shqiptare krenare”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore