Muzikë

Rita Ora do të prezantojë e performojë në koncertin e “Vitit të Ri” në “Times Square”


Këngëtarja nga Kosova, me famë ndërkombëtare, Rita Ora ka njoftuar se do të jetë nikoqire si dhe do të performojë në një nga ngjarjet më të mëdha në ndër të festës së “Vitit të Ri” që organizohen në “Times Square” të New York-ut.

Ora, ka thënë të ndihet e nderuar që do të marrë pjesë në “Rockin Eve”, derisa do të shfaqet edhe në rolin e prezantues, e ku skenën do e ndajë me personazhin e famshëm televiziv amerikan, Ryan Seacrest.

Përmes platformave të saj sociale, ajo ndau lajmin me ndjekësit dhe shprehu nderin dhe entuziazmin për këtë traditë festive të madhe.

“Është nder të jem bashkë-prezantuese e mbrëmjes së Vitit të Ri ‘Rockin Eve’ me Ryan Seacrest drejtpërdrejt nga ‘Times Square’”, shkroi ajo në X (ish-Twitter).

“Mos e humbisni më 31 Dhjetor në ora 8/7c në ABC”, ka shtuar 33-vjeçja.

Marrja e përgjegjësisë si nikoqire e përbashkët me Ryan Seacrest, një nga figurat më të njohur televizive, në natën e “Vitit të Ri” për një festim të tillë spektakolar në zemrën e New Yorkut, është padyshim një moment kulminant në karrierën e Ritës dhe dëshmi e suksesit të saj të vazhdueshëm.

Në anën tjetër, ky angazhim i saj në “Times Square” vjen si një tjetër arritje në listën e sukseseve të saj globale dhe konfirmon vendin e saj si një nga yjet më në zë të muzikës bashkëkohore.

Nën qindra mijëra drita e fishekzjarrë dhe atmosferën e paharrueshme të një ndërrimi vjetor, Rita Ora do të sjellë performancën e saj të jashtëzakonshme dhe energjinë e saj të pandalshme për t’u siguruar të gjithëve një kalim të paharrueshëm në vitin e ri.

Përndryshe, ditë më parë, Rita Ora ka vizituar Kosovën bashkë me të dashurin e saj, regjisorin australian, Taika Waititi.

Njëkohësisht ajo ka festuar ditëlindjen e saj në Prishtinë, derisa është takuar me zyrtarët më të lartë politik në vend, përfshirë presidenten Vjosa Osmani e kryeministrin Albin Kurti.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore