Lajme

Ristuccia informon përfaqësuesit e shteteve kontribuuese të KFOR-it për situatën në Kosovë


Angelo Ristuccia

Komandanti i misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë (KFOR), Angelo Michele Ristuccia, të mërkurën ka takuar ambasadorët e kombeve kontribuuese dhe përfaqësuesit e lartë shtetërorë të KFOR-it në “Camp Film City” në Prishtinë.

Gjatë takimit, sipas njoftimit të KFOR-it në llogarinë zyrtare në rrjetin social “Facebook” gjenerali Ristuccia i informoi pjesëmarrësit për situatën e përgjithshme të sigurisë, prioritetet e KFOR-it dhe i falënderoi për mbështetjen e tyre ndaj misionit.

“KFOR-i vazhdon të zbatojë mandatin e tij – bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999 – për të siguruar një mjedis të sigurt dhe lirinë e lëvizjes për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë”, thuhet ndër të tjera në njoftim.

Ndryshe, përmes një video-mesazhi nga selia e NATO-s në Bruksel, pas takimeve me zëvendëssekretarin e përgjithshëm të Aleancës Veri-Atlantike, Mircea Geoana dhe të gjithë ambasadorët e NATO-s, gjenerali Ristuccia pati thënë se do të veprojnë nëse kërcënohet stabiliteti, siguria dhe liria e lëvizjes në Kosovë.

“KFOR-i do të vazhdojë të kryejë misionin e tij. Dhe është plotësisht e përgatitur – në përputhje me mandatin e saj të OKB-së – të veprojë nëse rrezikohet stabiliteti, siguria dhe liria e lëvizjes”, pati deklaruar Ristuccia.

Një adresim i tillë përmes një video-mesazhi, i cili nuk është edhe aq i zakonshëm për një komandant të KFOR-it, erdhi disa ditë para zgjedhjeve të jashtëzakonshme në katër komunat veriore, pasi mbajtja e tyre ishte vënë në pikëpyetje për shkak të tensioneve në atë pjesë të vendit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore