Bota

Regjimi i Chadit refuzon negociatat me rebelët e armatosur


Qeveria ushtarake e Chadit ka njoftuar se nuk do të negociojë me “rebelët” përgjegjës të vrasjes së presidentit të vendit.

Kështu luftëtarët e armatosur, me shumë mundësi, do të kërcënojnë me sulme kryeqytetin N’djamena.

Zëdhënësi i grupit rebel, të njohur si Fronti për Ndryshim dhe Pajtim në Chad (Fakt), tha të dielën se, po bashkohen me grupe të tjera të armatosura që kundërshtojnë, Mahmat Idriss Déby, për të marrë kontrollin e vendit pas vdekjes së të atit të tij.

Në një deklaratë televizive, zëdhënësi ushtarak, gjenerali Azem Bermandoa Agouma, tha se, rebelët po kërkonin të bashkëpunonin me “disa grupe xhihadistësh dhe trafikantësh që shërbyen si mercenarë në Libi”.

Zëdhënësi ushtarak tha se, disa nga rebelët janë arratisur në drejtim të kufirit të Chadit me Nigerinë, duke bërë thirrje që qeveria e Nigerit të ndihmojë në kapjen e tyre.

Zëdhënësi i grupit të armatosur, Kingabe Ogouzeimi de Tapol, u shpreh për Associated Press se rebelët nuk ishin dorëzuar.

Megjithëse, ai nuk pranoi të thoshte se ku qenë vendosur forcat të dielën, duke përmendur arsye sigurie.

Rebelët Chadian, të njohur me shkurtesën e tyre franceze Fact, ishin vendosur në Libinë jugore, ku më pas kanë kaluar përsëri në Chad, pikërisht në ditën e zgjedhjeve.

Idriss Déby, presidenti i vendit që nga viti 1990, e mori lehtësisht fitoren bazuar në rezultatet zyrtare, pasi disa politikanë kryesorë të opozitës nuk morën pjesë.

Ushtria njoftoi të nesërmen se, Déby ishte plagosur për vdekje kur po vizitonte vijat e frontit të betejës kundër rebelëve. Djali i tij u emërua kreu i një këshilli ushtarak, që planifikon tranzicionin 18-mujor drejt zgjedhjeve të reja.

Qëndrimi i Francës

Franca ka qenë e kujdesshme për të mos kritikuar veprimet e ushtrisë dhe presidenti i Francës, Emmanuel Macron, mori pjesë në varrimin e Déby javën e kaluar.

Chadi është shtëpia e një baze ushtarake franceze ku kanë selinë operacionet kundër terrorizmit për rajonin e Sahelit. Gjithashtu, Chadi ka furnizuar trupa kritike me misionin paqeruajtës të Kombeve të Bashkuara në Mali Verior.

Sidoqoftë, grupet e opozitës kanë dënuar emërimin e Mahmat Déby si një grusht shteti, duke thënë se presidenti i asamblesë kombëtare duhet të ishte marrë në vend të tij.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore